Sektori i industrisë ka hyrë në një cikël krize të gjatë me rënie të prodhimit dhe shitjeve, kryesisht prej problematikave që ka krijuar rënia e euros e kombinuar me faktorë të tjerë si rritja e kostove të prodhimit, rritja e pagës minimale dhe mungesat në forcën e punës.
Të dhënat nga INSTAT të gjeneruara nga statistikat afatshkurtra treguan se, shitjet në vlerë në sektorin e industrisë shënuan rënie vjetore me 16.6% tremujorin e tretë të vitit 2023.
Rënia më e madhe ishte për industrinë e letrës me 41% më pak shitje në tremujorin e tretë të vitit 2023 në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2022. Në vend të dytë vjen industria e prodhimit të këpucëve, në të cilën shitjet në vlerë shënuan tkurrje vjetore me 35.3 për qind në tremujorin e tretë 2023.
Fabrikat e këpucëve veç ndikimit negativ që dha kursi i këmbimit u preken edhe nga rënia e kërkesës për këpucë nga tregu italian. Kriza e inflacionit pas luftës në Ukrainë ndikoi buxhetet e familjeve që në këto raste tkurrin kërkesën për këpucë. Fabrikat e fasonerisë shpjegojnë se kur konsumi goditet nga krizat, në grupin e veshjeve rënia më e madhe shitjeve është për këpucët dhe intimet.
Me rënie të ngjashme të shitjeve u përball edhe industria e drurit dhe produkteve të tij. Edhe pse sektori i ndërtimit dhe banesave të reja ka pësuar rritje çka do të sillte edhe një kërkesë më të lartë për mobile, fabrikat e drurit janë në krizë. Përfaqësues të sektorit pohojnë se banesat e reja nuk po mobilohen duke bërë që kërkesa të ketë përkeqësim si brenda vendit edhe jashtë.
Rënie të shitjeve në vlerë ka pësuar edhe industria nxjerrëse me rreth 33 për qind në periudhën referuese, kryesisht prej rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe efekteve negative që ka krijuar kursi i këmbimit.
Përveç shitjeve të gjithë treguesit e tjerë në industri kanë pësuar rënie. Punësimi n shënoi rënie me 2 % dhe perspektiva mbetet e errët edhe për vitin 2024. Kjo është hera e parë që përfaqësuesit e industrisë nuk mund të japin parashikime për rikuperim.
Zhvendosja e ekonomisë nga prodhimi tek importi, do te sjellë vendit pasoja negative afatgjata thotë, Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, i cili gjithashtu operon në sektorin e agro-përpunimit për eksport.
Ai thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimit, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20 vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e produkteve “Made in Albania”.