Kërkojnë pikë jetike përballë Egnatias, Ernest Gjoka: Jemi mirë në aspektin psikologjik, por kemi mungesa të rëndësishme

Skënderbeu do të përballet ditën e sotme me Egnatian në transfertë, në kuadër të javës së 35-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Arena Egnatia”, nis në orën 15:30.

Në prag të këtij dueli ka folur edhe trajneri i korçarëve, Ernest Gjoka. Ky i fundit tregon përgatitjet që ka kryer skuadra e tij, tkesa thotë se për shkak të rezultateve të fundit janë mirë nga ana psikologjike.

“Kemi punuar të përqendruar për këtë ndeshje që pas barazimit në shtëpi me Tiranën. Nuk kemi marrë në total dy javët e fundit, por ndeshje nga njëra në tjetrën, pasi çdo ndeshje ka specifikën e saj. Ndaj duhet të shohim çdo ndeshje si një ndodhi e veçantë për të qenë të përqendruar vetëm tek angazhimi i radhës. Po mendojmë për Egnatian që është një transfertë delikate dhe e vështirë, pasi luajmë përballë ekipit kryesues dhe kampionëve në fuqi. Do të duhet të bëjmë një ndeshje të mirë përballë tyre dhe të jemi të përqendruar në maksimum me qëllim që të tregojmë të gjithë potencialin tonë.

Vijmë nga një seri rezultatesh pozitive dhe kjo është një plus për ne në aspektin psikologjik. Por duhet që këtë moral pozitiv ta vëmë në shërbim të asaj që duam të arrijmë. Kjo është një ndeshje që nuk duam ta humbim dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin e mundshëm. Më pas do të jetë fusha ajo që do të vendosë se çfarë kemi merituar në bazë të paraqitjes që do të bëjmë.

Kemi mungesën e Dokës dhe Estrelës që janë dy lojtarë të rëndësishëm për ne. Në ekip kemi një grup të mirë futbollistësh që mund të zbresin në fushë nga minuta e parë dhe të bëjnë po kaq mirë. Jemi duke menduar bashkë me stafin se cila do të jetë zgjidhja më e saktë për këtë takim dhe do të vendosim së bashku për të hedhur nga minuta e parë formacionin më të mirë të mundshëm”, u shpreh Ernest Gjoka.

Lajme të tjera |  Nga Vinicius te Rodrygo, “çmenduria” e Florentino Perez për të hequr “gardën e vjetër” dhe transferuar sulmuesin viking

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us