Me 30 qershor, pas afro 2 javësh, Ardian Ismajlit i përfundon zyrtarisht kontrata me Empolin, del në treg si një lojtar i lirë, për këtë arsye qendërmbrojtësi kuqezi është kthyer në një objektiv konkret për disa klube në Serie A. Sipas La Repubblica-s, Ismajli është kthyer në një opsion konkret për ekipin e Lazio-s, madje drejtuesit e ekipit kryeqytetas kanë vendosur kontaktet e para me përfaqësues të lojtarit.
Trajneri Sarri ka dhënë pëlqimin e tij për Ismajlin, është pro transferimit të tij te Lazio-s, por më parë nga kryeqyteti duhet të largohet ndonjë lojtar.
Gjithnjë sipas La Repubblica-s, jo vetëm Lazio, janë të paktën edhe dy ekipet të tjera nga Serie A që e kanë vendosur Ismajlin në krye të listës së dëshirave, Parma dhe Cremonese. Në radhët e Parmës prioritet për momentin është gjetja e një trajneri të ri për post Chivu, më pas do të përpilojnë edhe merkato, ku mes emra të shumtë është edhe Ismajli.
Qendërmbrojtësi kuqezi është një okazion i vërtetë edhe për ekipin e Cremoneses, të sapo ngjitur në Serie A. Ismajli ofron garanci për një ekip që objektivin kryesor ka mbijetesën në elitë.