Partia Socialiste ka vendosur si objektiv sigurimin e 19 mandateve në Qarkun e Tiranës, nga 37 që ka në total ky qark. 12 prej deputetëve do të dalin nga lista e mbyllur, ndërsa 7 të tjerët socialistët synojnë që t’i sigurojnë përmes votës popullore. Në këtë listë do të jetë beteja më e ashpër, e ndoshta më interesante. Në listën e hapur janë disa emra me peshë dhe kontribute historike në Partinë Socialiste.
Janë të paktën 13 emra që do të garojnë për këto 7 vende, ku dy prej tyre janë të rezervuara për gratë për shkak të kuotave gjinore. Pesë vendet që mbeten do të jenë ato më të luftuarat mes emrave si Erion Braçe, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Blendi Gonxhja, apo Toni Gogu.
Tre prej tyre kanë kaluar në 2021 testin e mbështetjes popullore, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko në Tiranë, ndërsa Erion Braçe në qarkun e Fierit.
Megjithatë, kandidimi në njësinë numër pesë në kryeqytet, njohur si bastion i socialistëve është një avantazh për senatorin e socialistëve në Kuvend, ndërsa pak më të vështirë pritet ta ketë Pandeli Majko.
Edhe Blendi Gonxhja nuk parashikohet që ta ketë të vështirë sigurimin e mandatit, ndërsa Fatmir Xhafaj duhet të sigurojë mbështetjen e katër viteve më parë për të qëndruar në Kuvend, aq më tepër kur Rama i ka besuar komisionin parlamentar të reformave antikorrupsion, që siç është shprehur kryesocialisti do të vijojë edhe pas 11 majit.
Edhe me mbështetjen e Belinda Ballukut nga pas, edhe Ervin Hoxha me gjasë do të jetë deputet pas 11 majit, duke plotësuar katër nga pesë mandatet e listave të hapura të PS-së, sipas objektivit që ka vendosur Edi Rama.
Mandati i pestë do të diskutohet mes të tjerëve që janë në listën e socialistëve, ku në garë është edhe Ornaldo Rakipi, që këtë herë vështirë se do të përsërisë rezultatin e katër viteve më parë. Pse? Së pari, në katër vite deputet ai qëndroi anonim, teksa përballë ka emra mjaft aktivë në Kuvend. Në garë është Halit Valteri, që pritet të sigurojë mbështetje të konsiderueshme, sidomos në zonën e Kamzës dhe Paskuqanit, por vështirë se kjo mbështetje do t’i japë mandatin e deputetit.
E ashpër parashikohet edhe gara për dy vendet që u takojnë grave, pasi në listë ka emra si Mimi Kodheli, Etilda Gjonaj, Anila Denaj, apo Ermonela Felaj, që garojnë jo vetëm me kolegët e tyre burra, por edhe në garë mes vetes.
©CopyrightVoxNews