Vllaznia do të luajë sfidën e fundit në transfertë për këtë sezon në Superiore. Shkodranët do të sfidojnë Elbasanin në “Elbasan Arena”, duel ky që do të luhet ditën e nesërme në orën 15:30.
Në prag të kësaj përballjeje ka folur në konferencën për shtyp Thomas Brdariç. Trajneri i Vllaznisë ka theksuar se ekipi i tij ka punuar shumë gjatë kësaj jave.
Gjermani ka bërë të ditur se Vllaznia synon të sigurojë “Final – Four”, kualifikimin në Europë dhe finalen e Kupës së Shqipërisë.
“Kemi punuar fort për të arritur këtu ku jemi, nuk na ka ardhur si dhuratë nga lart, ka qenë mjaft punë, objektiva të qartë të ekipit. Duam të vazhdojmë këtë rrugë dhe rruga jonë ska përfunduar. Nesër me Elbasanin mund të jetë ndeshja më e fortë e sezonit, përballemi me një nga ekipet më të forta të Superligës, kanë pasur një seri të gjatë fitoresh, kemi një sfidë shumë të bukur dhe të provojmë që të mos lejojmë ata të hyjnë në “Final Four”. Më në fund u shpërblyem për fitoren, ishte javë e kaluar me sukses, shkoi siç e kishim planifikuar, vazhdojmë kështu.
Unë mendoj vetëm për ndeshjen tonë, ajo është deçizive për ne, ti tregojmë tifozëve dhe bordit që jemi gati të shkojmë për hapin e radhës. Është një ëndërr, të shohim çdo të ndodhë pas kësaj fundjave, e dimë që kemi mundësi për të bërë ndeshje të mira, çdo gjë është e mundur deri në fund, e fundit është që të jemi aty, dy vendet e para. Duhet të jemi të fokusuar, ka mjaft kundërshtarë kundër Vllaznisë, mezi po pres që të luajmë nesër dhe të vazhdojë loja.
Për mua është diçka speciale ajo që kemi arritur, privilegj që kemi arritur këtu, janë disa ndeshje ose pikë që mund të kishim marrë, gjithmonë ka diçka që mund ta rrisim. Jam shumë i lumtur që Vllaznia është në këtë situatë, në aspektin personal nuk kam shumë kohë që të mendoj për sezonin e ardhshëm dhe fokusi është vetëm këtë javë. Kemi ndeshje të forta dhe objektivi kryesor ishte sigurimi i “Final Four”, e dyta sigurimi i Europës që mund të jetë këtë javë dhe e treta që e kemi në mesjavë, të shkojmë në finalen e Kupës, por jam i sigurt që ekipi i Vllaznisë bashkë me bordin në sezonin e ardhshëm do të jetë në të njëjtin pozicion si këtë sezon”, ka theksuar timonieri i kuqebluve.