Vendet anëtare të Bashkimit Evropian votuan sot në favor të propozimit të Komisionit Evropian për t’iu përgjigjur tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit, vendosja e tarifave ka të bëjë me produkte amerikane me një vlerë totale prej rreth 22.1 miliardë euro, bazuar në të dhënat e importit të vitit 2024, si duhan, motoçikleta, shpendë, çelik dhe alumin. Uiski amerikan u hoq nga lista pasi Trump kërcënoi me tarifa 200% për produktet alkoolike nga BE.
Propozimi i Komisionit erdhi si përgjigje ndaj vendimit të SHBA në mars për të vendosur tarifa për importet e çelikut dhe aluminit nga Bashkimi Evropian. BE i konsideron tarifat amerikane të pajustifikuara dhe të dëmshme, duke shkaktuar dëme ekonomike për të dyja palët, si dhe për ekonominë globale. BE-ja ka shprehur qartë dëshirën e saj për të gjetur rezultate nga negociatat me SHBA-në që do të ishin të balancuara dhe të dobishme reciproke.
Votimi i sotëm i miratimit nga Shtetet Anëtare do të thotë se pas përfundimit të procedurave të brendshme të Komisionit dhe publikimit të aktit zbatues kundërmasat do të hyjnë në fuqi. Tarifat do të fillojnë të vendosen nga 15 prilli. Këto kundërmasa mund të pezullohen në çdo moment nëse SHBA bie dakord për një rezultat të drejtë dhe të balancuar nga negociatat.
Komisioni kishte hartuar listën e propozuar të produkteve amerikane mbi të cilat u vendosën detyrime hakmarrëse që nga fundi i javës së kaluar, por Brukseli zgjodhi ta rishikonte listën dy herë, për të kënaqur Italinë, Francën dhe Irlandën, pasi këto vende anëtare të BE-së po kërkonin urgjentisht që pijet alkoolike amerikane të përjashtoheshin nga hakmarrja evropiane, pasi përndryshe mund të ndikohej ndjeshëm hakmarrja e SHBA-së ndaj verës.
Media greke “Protothema.gr” informoi të hënën e kaluar përmes një artikulli, se Komisioni Evropian kishte hartuar një listë të produkteve amerikane mbi të cilat do të vendoseshin tarifa, ku përfshiheshin produkte me rëndësi simbolike për SHBA-në dhe më të fokusuara në të ashtuquajturat shtete të kuqe. Shtetet e kuqe, janë ato që udhëhiqen nga republikanët, si Luiziana, një prodhues kryesor i sojës, si dhe Kansas dhe Nebraska, shtete që prodhojnë sasi të konsiderueshme të mishit të viçit dhe shpendëve.
Politika tregtare e BE-së është përgjegjësi e Komisionit Evropian dhe jo e shteteve anëtare, dhe organi ekzekutiv i BE-së nuk ka nevojë për unanimitet të 27 për të vendosur tarifa për mallrat nga vendet e treta. Për miratimin e propozimit të Komisionit mjafton një shumicë e cilësuar, që në praktikë do të thotë se nëse 55% e vendeve anëtare të BE-së votojnë pro (d.m.th. 15 nga 27 shtete anëtare) dhe në të njëjtën kohë propozimi mbështetet nga shtetet anëtare që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë totale të BE-së, tarifat e propozuara nga Komisioni do të miratohen. Nëse shumica e cilësuar voton kundër aktit të propozuar, Komisioni nuk mund ta miratojë atë. Nëse nuk ka shumicë të cilësuar për ose kundër aktit të propozuar, Komisioni ose mund ta miratojë atë ose të paraqesë një version të ri, të ndryshuar.
Në komitetin në fjalë (Komiteti i Barrierave Tregtare) i cili mblidhet rrallë, ku marrin pjesë përfaqësues të 27 shteteve dhe qeverive kombëtare, por kryesohet nga Komisioni Evropian. Siç bëhet me dije, burime në Bruksel u shprehën se “në periudha normale, këto komitete takohen rrallë. Megjithatë, situata në SHBA rikthen në plan të parë nevojën e rishikimit të rregulloreve të tregtisë globale”.
Përgjigja e Kinës
Pasi Trump njoftoi dje për tarifa të reja ndaj Kinës, Pekini po i përgjigjet me tarifa 84% për produktet e importuara amerikane – nga 34% e paralajmëruar më parë – njoftoi sot Ministria e Jashtme kineze. Këto masa specifike do të hyjnë në fuqi nga 10 prilli, sipas deklaratës.
Sipas deklaratës së ministrisë kineze që justifikon vendosjen e tarifave më të larta, “vendimi i SHBA-së për tarifat prej 104% shkel seriozisht të drejtat dhe interesat legjitime të Kinës dhe dëmton seriozisht sistemin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar në rregulla. Në të njëjtën kohë, Stoxx Europe 600 ra me 4.2%. Në të njëjtën kohë, FTSE 100 ra me 3.4%, indeksi gjerman Dax ra me 3.4%, ndërsa indeksi francez Cac 40 ra me 3.4%.
Çfarë eksportoi SHBA-ja në Kinë vitin e kaluar?
Shtetet e Bashkuara eksportuan mallra me vlerë 143.5 miliardë dollarë në Kinë vitin e kaluar, sipas përfaqësuesit tregtar të Uashingtonit.
Eksportet kryesore, sipas Komisionit të Tregtisë Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, ishin:
– Soja
– Avionë civilë, motorë dhe pjesë
– Mikroçipe dhe mikropajisje, duke përfshirë pjesët e tyre
– Farmaceutikë, duke përfshirë vaksinat
– Naftë (gaz natyror dhe naftë)
– Makina dhe automjete
Xi Jinping bën thirrje për forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje
Pas njoftimeve të Trump, presidenti kinez Xi Jinping u bëri thirrje zyrtarëve të tij që të fokusohen në ndërtimin e marrëdhënieve të forta me vendet fqinje. Xi theksoi nevojën për t’u përqëndruar në ndërtimin e një komuniteti të së ardhmes së përbashkët me vendet fqinje, duke kërkuar të hapë një kapitull të ri në diplomacinë e fqinjësisë. Lajmin e bëri vetë të ditur presidenti kinez në një konferencë urgjente.
Në një kohë kur dinamikat rajonale janë gjithnjë e më të ndërlikuara për shkak të ndryshimeve globale, qëllimi ishte forcimi i bashkëpunimit logjistik me fqinjët e Kinës, përmirësimi i lidhjes dhe “konsolidimi i besimit të ndërsjellë strategjik”.
Pekini kishte paralajmëruar se “Ne do t’i përgjigjemi me vendosmëri dhe dinamike bullizmit”.
Më herët, Pekini kishte përdorur një gjuhë të fortë kundër veprimeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në lidhje me marrëdhëniet tregtare dypalëshe, duke i quajtur lëvizjet e tij “kërcënuese dhe shtrënguese” dhe “gabim pas gabimi”.
Në fakt, në një Letër të Bardhë të botuar të mërkurën, qeveria kineze përsëriti synimin e saj për t’iu përgjigjur me kundërmasa, duke deklaruar se Uashingtoni do të përballej me pasojat e veta. Letra e Bardhë e bëri të qartë se Pekini nuk ka ndërmend të tërhiqet në luftën tregtare dhe kujtoi komunikimin e fundit midis Trump dhe Xi Jinping.
“Luftërat tregtare nuk kanë fitues dhe proteksionizmi të çon në një rrugë pa krye”, u shpreh ai. Theksohet se progresi ekonomik i Kinës dhe Shteteve të Bashkuara përbën një mundësi të përbashkët dhe jo një kërcënim reciprok.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kinës përsëriti të mërkurën se Pekini do të marrë masa “të vendosura dhe të forta” për të mbrojtur interesat e tij pasi tarifat totale neto prej 104% mbi importet kineze në SHBA hynë në fuqi dhe i bëri thirrje Uashingtonit të ndalojë “sjelljet arrogante dhe ngacmimet”.
“Nëse SHBA vërtet dëshiron ta zgjidhë problemin përmes dialogut dhe negociatave, duhet të demonstrojë një qëndrim barazie, respekti dhe përfitimi reciprok”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian në një konferencë për shtyp.
Duke i bërë jehonë komenteve të Departamentit të Tregtisë të martën, Lin tha se nëse SHBA këmbëngul për të zhvilluar një luftë tarifore dhe tregtare, Kina “do të luftojë patjetër deri në fund”. Përveç kësaj, Ministria Kineze e Tregtisë deklaroi se ka një “vullnet të fortë” për t’iu përgjigjur luftës tregtare të Uashingtonit, siç raportohet nga agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua.
“Kina do të marrë me vendosmëri kundërmasa dhe do të luftojë deri në fund nëse SHBA insiston të vazhdojë të përshkallëzojë masat e saj kufizuese ekonomike dhe tregtare”, tha ministria, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve.
“Nuk ka fitues në një luftë tregtare. Kina nuk e dëshiron këtë, por qeveria kurrë nuk do të lejojë që të drejtat dhe interesat legjitime të popullit kinez të cenohen apo hiqen”.
Kina paraqet ankesë në OBT kundër tarifave të SHBA-së
Ndërkohë, Kina paraqiti sot një ankesë të re në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër tarifave shtesë të SHBA-së.
“Kina paraqiti sot një apel të ri në OBT kundër tarifave shtesë prej 50% të SHBA-së për produktet kineze”, thuhet në deklaratë e komisionit kinez në OBT.
Përgjigjen e mori nga Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent.
“Delegacioni kinez tha në OBT se tarifat e SHBA kërcënojnë të destabilizojnë më tej tregtinë globale. Lëvizja e Kinës për të vendosur tarifa hakmarrëse 84% ndaj produkteve amerikane është për të ardhur keq dhe një veprim që e lë Pekinin të humbasë. Unë mendoj se është për të ardhur keq që kinezët nuk duan të vijnë dhe të negociojnë sepse ata janë shkelësit më të këqij në sistemin ndërkombëtar të tregtisë. Eksportet e Kinës në SHBA janë pesë herë më shumë se eksportet tona në Kinë. Pra, ata mund të rrisin tarifat e tyre. Dhe më pas çfarë?,”– tha Bessent në një intervistë me Fox Business Network.
Sekretari amerikan i Thesarit theksoi se aleatët në bisedimet me zyrtarët amerikanë thonë se duan të diskutojnë se si të gjejnë një ekuilibër të ri kundër politikave tregtare të Kinës.
“SHBA po përpiqet të gjejë një ekuilibër të ri drejt më shumë prodhimtarisë. Kina duhet të gjejë një ekuilibër të ri drejt konsumit”, shtoi ai.
Po ashtu, si masë e ndërmarrë, Pekini ka lëshuar një paralajmërin për tursitët kinezë që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara. Ministria e Kulturës dhe Turizimit lajmëroi turistët kinezë që të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit të tyre në SHBA, si pasojë e marrëdhënieve ekonomike dhe trgtareve mes dy vendeve.
“Si pasojë e përkeqësimit të fundit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA dhe situatës së sigurisë së brendshme në Shtetet e Bashkuara, u bëjmë thirrje turistëve kinezë që të vlerësojnë rreziqet e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara dhe të udhëtojnë me kujdes”,thuhet në njoftim.
Departamenti i Arsimit lëshoi gjithashtu alarmin për “disa studentë” me bazë në Shtetet e Bashkuara./ZËRI