Sipas një memorandumi të brendshëm, administrata e presidentit Donald Trump raportohet se po propozon të ulë buxhetin e Departamentit të Shtetit me gati gjysmën, në një masë që mund të zvogëlojë në mënyrë drastike shpenzimet ndërkombëtare të SHBA dhe t’i japë fund financimit të saj për NATO-n dhe Kombet e Bashkuara.
Plani përfshin mbyllje ambasadash e konsullatash, shkurtime fondesh për NATO-n dhe organizatat ndërkombëtare, përgjysmim stafi. Konkretisht The guardian raporton se administrata po planifikon mbylljen e 10 ambasadave dhe 17 konsullatave, si dhe reduktimin ose bashkimin e stafit të disa përfaqësive të tjera diplomatike jashtë vendit. Do të ketë gjithashtu reduktime drastike për fuqinë punëtore të Departamentit të Shtetit, i cili aktualisht është në 80,000.
Shkurtimet do të nënkuptonin ulje drastike të fondeve për ndihmën humanitare, shëndetin global dhe organizatat ndërkombëtare. Programet e ndihmës humanitare dhe financimi global i shëndetësisë do të ulen përkatësisht me 54% dhe 55%, sipas memorandumit, i cili u raportua për herë të parë nga ‘Washington Pos’t. Memorandumi propozon eliminimin e 90% të mbështetjes për organizatat ndërkombëtare, me eliminimin e financimit për rreth 20 organe, përfshirë aleancën e NATO-s dhe OKB-në.
Dokumenti rekomandon mbylljen e dy ambasadave të vogla në Evropë — në Luksemburg dhe Maltë — si dhe mbylljen e misioneve diplomatike në Grenadë dhe Maldive. Shumica e konsullatave të rekomanduara për t’u mbyllur ndodhen në Europë dhe përfshijnë disa destinacione turistike të preferuara nga amerikanët. Pesë prej konsullatave ndodhen në Francë — në Bordeaux (Bordo), Lyon, Marsejë, Rennes dhe Strasburg. Dy janë në Gjermani — në Düsseldorf dhe Leipzig. Dy të tjera, Mostar dhe Banjallukë, ndodhen në Bosnje-Hercegovinë.
Dokumenti sugjeron gjithashtu mbylljen e konsullatave në Selanik, Greqi; Firence, Itali; Ponta Delgada, Portugali; dhe Edinburg. Jashtë Evropës, rekomandohet mbyllja e edhe katër konsullatave të tjera: në Douala, Kamerun; Medan, Indonezi; Durban, Afrikë e Jugut; dhe Busan, Kore e Jugut. Gjashtë nga ambasadat që dokumenti propozon për mbyllje ndodhen në Afrikë: në Republikën e Afrikës Qendrore, Eritre, Gambi, Lesoto, Republikën e Kongos dhe Sudanin e Jugut. Rekomandohet që funksionet e tyre t’u kalojnë ambasadave në vende fqinje.
Shkurtimet ende nuk janë miratuar brenda administratës dhe do të duhet të miratohen nga Kongresi, ku ka të ngjarë të hasin në rezistencë të ashpër, madje edhe midis shumë republikanëve. Memorandumi, i datës 10 prill, është nënshkruar nga Douglas Pitkin, drejtor i buxhetit dhe planifikimit në departamentin e shtetit, dhe Peter Marocco, i cili deri vonë ishte drejtor i departamentit për ndihmën e huaj dhe ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të USAID-it.