Monika Kryemadhi bëri sot thirrje për të votuar Ilir Metën dhe tha se këtë e bën për hir të familjes, duke shprehur shqetësim nga ana tjetër për atë që po ndodh në Partinë e Lirisë, duke i cilësuar drejtuesit e saj si mercenarë.
“Me paturpësinë më të madhe shkojnë dhe thonë: ‘Mos dëgjoni Monikën se kërkon votë për PS!’ Kur në të vërtetë paaftësia e tyre për të shkuar derë më derë tek njerëzit është një justifikim i tillë. Prandaj përmes jush përfitoj nga rasti për t’iu bërë thirrje të gjithë anëtarëve të LSI-së, të vjetrit, të rinjtë, të gjithë atyre miqve të ngushtë, të Monikës, të Ilir Metës kudo që janë që në 11 maj të votojnë Ilir Metën. Se çfarë thonë zyrtarët apo mercenarët që kanë uzurpuar, apo izoluar drejtimin e Partisë së Lirisë, t’i anashkalojnë, t’i harrojnë dhe vetëm të ecin përpara sepse në fund të ditës vota është për Ilir Metën”, tha Kryemadhi teksa dilte nga dyert e SPAK.
Kryemadhi, tashmë zyrtarisht e divorcuar nga Meta, i cili kandidon nga burgu në listën e hapur të koalicionit “Shqipëria Madhështore për qarkun e Tiranës, sqaroi më tej edhe se cilët janë mercenarët që sipas saj kanë uzurpuar drejtimin e Partisë së Lirisë.
“Rrogëtarët, mjafton të hyni dhe të shihni se kush janë në bordero tek Partia e Lirisë, atë që ne nuk e kemi pasur asnjëherë në jetën tonë, ata janë mercenarët”, nënvizoi Kryemadhi.