Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e radhës drejt njohjes dhe vlerësimit të kontributit të qytetarëve, që kanë punuar ndër vite në institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet bujqësore të periudhës komuniste.
Me miratimin e rregullores së re “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025” me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u jepet fund një herë e mirë padrejtësive të kahershme, duke rikthyer dinjitetin dhe të drejtën e mohuar për shumë individë, të cilët pavarësisht viteve të punës, kanë mbetur për dekada jashtë skemës së pensioneve. Në shumë raste, vitet e punës janë dokumentuar jo saktë, regjistrat gjenden të paplotë ose janë djegur gjatë trazirave të ‘97-ës. Ligji do të lehtësojë njohjen e periudhave të sigurimit, duke zgjidhur problemet me dokumentacionin e vjetër dhe duke shmangur pengesat administrative.
Në qendër të këtij vendimi janë ish-punonjësit e institucioneve shtetërore, të ishndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-kooperativave bujqësore, të cilët për arsye të ndryshme, kryesisht të mungesës së dokumentacionit apo të parregullsive administrative gjatë viteve të tranzicionit, nuk kanë mundur të përfshihen në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe si rrjedhojë nuk kanë përfituar pensionin e pleqërisë, ose përfitime të tjera sociale.
Rregullorja përcakton qartë procedurat për njohjen e këtyre periudhave si vite sigurimi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ajo parashikon kritere të detajuara që duhet të plotësojnë kërkuesit, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar periudhën e punësimit dhe lidhjen e tyre me institucionet përkatëse. Në fokus është jo vetëm saktësia ligjore, por edhe lehtësimi i barrës dokumentare, duke pranuar edhe forma alternative të provës si deklarata noteriale, dëshmi nga dëshmitarë, certifikata familjare, vërtetime nga arkivat apo institucionet vendore. Një nga risitë e kësaj rregulloreje është mundësia që aplikimi të bëhet në mënyrë të thjeshtuar përmes platformës digjitale “e-Albania”, duke shmangur burokracitë dhe vonesat që për shumë vite kanë bllokuar qindra kërkesa në sistemin e sigurimeve.
Aplikuesit, pas dorëzimit të dokumenteve, do të shqyrtohen nga strukturat përkatëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili do të ketë detyrimin të japë vendimin përfundimtar për njohjen ose jo të periudhës së kërkuar. Përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj nisme janë individë që kanë qenë të angazhuar në punë gjatë periudhave të funksionimit të kooperativave bujqësore, ndërmarrjeve shtetërore industriale apo bujqësore, ku puna shpesh kryhej pa një kontratë të rregullt pune, por ishte pjesë e kontributit kolektiv dhe detyrimit qytetar të kohës. Në shumë raste, këta persona kanë punuar për vite me radhë në sistemin bujqësor apo industrial të organizuar nga shteti, por nuk kanë qenë të regjistruar si të siguruar, gjë që sot pengon përfitimin e pensionit.
Ndërkohë, rregullorja parashikon dhe kufizime të qarta për të shmangur abuzimet. Kështu, përjashtohen nga përfitimi personat që janë dënuar me vendim gjykate për vepra penale që nuk lidhen me bindjet politike, si dhe ata që nuk kanë pasur një lidhje të vërtetueshme me vendbanimin dhe vendpunimin gjatë periudhës për të cilën kërkojnë njohje. Ky akt nënligjor vjen si një plotësim i shumë kërkesave dhe shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, organizatat e pensionistëve dhe shoqëria civile ndër vite, duke qenë një nga hapësirat më të rëndësishme të rivlerësimit të kontributit historik të shtresave të neglizhuara në tranzicionin shqiptar.
Në thelb, ai sjell jo vetëm një përmirësim në mirëqenien ekonomike të mijëra familjeve, por edhe një formë e vonuar drejtësie sociale dhe respekti institucional për punën që është bërë në kushte të vështira dhe në periudha kur ndihmat sociale dhe siguria e punës ishin të kufizuara. Pritet që zbatimi i kësaj rregulloreje të sjellë një valë të re aplikimesh në muajt në vijim, me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që ka marrë masa për të përballuar fluksin dhe për të ofruar asistencë teknike dhe ligjore për aplikantët në nevojë. Njëkohësisht, qytetarët që kanë çështje të hapura në gjykatë për të njëjtën periudhë, kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e dosjes për shqyrtim administrativ sipas rregullores së re, duke kursyer kohë dhe kosto procedurale.
Me këtë vendim, shteti shqiptar u kthen një borxh të gjatë moral dhe social qindra mijëra qytetarëve të tij – një shenjë që puna e bërë, edhe pse në rrethana të tjera politike e ekonomike, nuk harrohet dhe meriton të vlerësohet. Duhet nënvizuar se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Referuar deklaratave nga përfaqësuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfitues do të jenë vetëm ata që dalin rishtazi në pension dhe jo të tjerë, të cilët e kanë kërkuar të drejtën e tyre në rrugë administrative apo gjyqësore. Ndërkohë që edhe ata individë që janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor kanë të drejtë të shmangin këto procedura, pasi janë objekt përfitimi të ligjit.
KATEGORITË QË PËRFITOJNË NGA ZBATIMI I LIGJIT JANË:
Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën.
Aplikantë, të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi.
Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim.
Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit.
NJIHEN VITET E PUNËS
Deri më datë 01.10.1993 – Në institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
Deri më datë 17.10.1992 – Në ish-ndërmarrjet bujqësore.
Deri më datë 19.07.1991 – Në ish-kooperativat bujqësore.