Procesi i rinumërimit të fletëve të votimit të qarkut të Tiranës konsiderohet për Ilir Alimehmetin si vjedhje e dytë e votave.
Në një intervistë për RTSH-në, kandidati demokrat për deputet në zgjedhjet e 11 majit shprehu kritika të forta për vendimmarrjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili duke mos lejuar hapjen e videove për numërimin e parë, lejoi të ndodhë, sipas tij, vijimin e “farsës së 11 majit”.
Ai preferon të mos komentojë nëse votat e tij preferenciale janë kalkuluar për ndonjë kandidat tjetër të listës së hapur, qoftë edhe të të njëjtit formacion politik. Megjithatë ai pranon se në procesin e numërimit ka pasur shtim votash.
“Metoda më e përdorur ka qenë metoda kur votuesi nuk ka votuar asnjë kandidat, por ka votuar vetëm subjektin zgjedhor. Pra, ne e quajmë këtë skedë të bardhë për sa i përket kandidatëve. Këtu janë shtuar vota pastaj,” thotë z. Alimehmeti.
Në këto kushte, rinumërimi i qarkut të Tiranës duket se nuk do të sjellë surprizë për Ilir Alimehmetin, i cili do të duhet të mbetet jashtë parlamentit. Por votat preferenciale të marra konsiderohen inkurajuese nga ai për të vijuar angazhimin politik në Partinë Demokratike.