Një kthesë e papritur e motit pritet këtë javë. Ndërsa temperaturat e fundjavës shkuan deri në 31 gradë do të ketë një ndryshim rrënjësor. Vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike me shira dhe ulje të forta temperaturash. Këto vijnë si rezultat i tërheqjes graduale të qarkullimit anticiklonar afrikan me masa ajrore të ngrohta e të thata dhe depërtimit të masave ajrore të lagështa dhe të ftohta veriore.
Ditën e Martë moti fillimisht do të jetë i kthjellët, ndërsa pas orëve të mesditës kemi ndryshim total të situatës meteorologjike ku kemi zhvillim gradual të vranësirave. Vranësirat do të jenë mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar në formë shtrëngatash.
Reshjet e shiut do të jenë prezente edhe gjatë ditës së Mërkurë, të Enjte dhe të Premte në formën e rrebesheve të shpejta e stuhive me shkarkesa elektrike dhe breshër të cilat në intervale të shkurtra kohore në veriperëndim të vendit dhe në zonat urbane kryesisht gjatë ditës së Mërkurë shfaqen problematike. Megjithatë nuk do të mungojnë intervale të herëpashershme me diell. Reshjet e Dëborës do të rikthehen gjithashtu në relievet malore në veri-verilindje-juglindje të vendit me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në lartësitë mbi 700m.
