Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar Vatikani.
Papa ndodhej në Romë, në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pas shtrimit në spitalin Gemelli. Dje, të dielën e Pashkëve, ai kishte dashur të merrte pjesë në kremtimet e meshës dhe ishte shfaqur në lozhën e Shën Pjetrit për bekimin Urbi et Orbi.
Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.
Vitet e fundit, papati i tij ishte shënuar nga disa vizita spitalore dhe shqetësime për shëndetin e tij.
Më 14 shkurt, Papa u shtrua në spital për trajtimin e bronkitit.
Jorge Mario Bergoglio u zgjodh papë më 13 mars 2013, duke befasuar shumë nga vëzhguesit e Kishës, të cilët e shihnin këtë klerik argjentinas – i njohur për përkushtimin ndaj të varfërve – si një figurë të jashtme dhe jo tradicionale.
Ai kërkoi t’i jepte një karakter më të thjeshtë rolit të lartë që mbante, duke refuzuar të jetonte në apartamentet luksoze papnore në Pallatin Apostolik, të cilat i kishin përdorur paraardhësit e tij, duke thënë se preferonte një mjedis komunitar për “shëndetin e tij psikologjik”.
Françesku trashëgoi një Kishë të përfshirë nga skandalet e abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe e përçarë nga grindjet e brendshme në burokracinë e Vatikanit, dhe u zgjodh me një mandat të qartë për të rikthyer rendin.
Por, me kalimin e kohës, ai u përball me kritika të ashpra nga konservatorët, të cilët e akuzuan për shkatërrimin e traditave të shenjta. Njëkohësisht, ai zhgënjeu edhe progresistët, që ndien se ai duhej të bënte më shumë për të reformuar Kishën 2000-vjeçare.
Megjithëse përballej me mospajtime të brendshme, Françesku u bë një figurë globale, duke tërhequr turma të mëdha gjatë udhëtimeve të tij ndërkombëtare, teksa promovonte pandërprerë dialogun ndërfetar dhe paqen, dhe qëndronte gjithmonë në anën e të përjashtuarve, si emigrantët.
Një situatë unike në kohët moderne ishte prania e dy njerëzve me petkun e bardhë në Vatikan për pjesën më të madhe të papatit të Françeskut – pasi paraardhësi i tij, Benedikti, zgjodhi të qëndronte në Selinë e Shenjtë pas dorëheqjes befasuese në vitin 2013, që hapi rrugën për një papë të ri.