Ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryedemokrati Sali Berisha kishte rezervuar sheshin “Nënë Tereza” një natë më parë, nga ku prezantoi të gjithë kandidatët për deputetë. Krah kryedemokratit Sali Berisha ishte Chris LaCivita, strategu i fitores së presidentit Donald Trump. Kolona zanore që ka shoqëruar Berishën që mesa duket është përzgjedhur për këtë fushatë ishte “Eye of the tiger” nga Survivor, këngë që gjithashtu na kujton filmin e Rocky Balboa dhe që flet për një ringritje. Kjo është dhe ajo që kërkon Partia Demokratike të bëjë, të rimarrë pushtetin pas 12 vitesh
Nga ana tjetër, Partia Socialiste kërkon një mandat të katërt duke premtuar pasaportën evropiane. Fushata e Ramës do të shoqërohet nga një këngë e bërë posaçërisht nga reperi Rigels Rajku, i njohur gjerësisht si Noizy.
Një natë më parë, Partia Socialiste zhvilloi një takim me gratë kandidate për deputete në të 12 qarqet e vendit, ndërsa sot, në orën 12:00 u mblodhën të gjithë në sheshin “Skënderbej”. Në fjalimin e tij Rama u fokusua në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që atmosfera mbizotëronte me këngë të të gjitha krahinave shqiptare, pasi kishte të ftuar këngëtarë të ndryshëm. Gjithçka kulmoi me ngjitjen e Noizyt në skenë, i cili dhe në një postim në rrjetet sociale ka shpjeguar bindjen e tij. Reperi thotë se nuk sheh programet e partive, por individët dhe se ndonëse dikur familja e tij ka qenë e djathtë, sot nuk ia mbush askush mendjen përveç Ramës.
Fushatën e kanë hapur edhe partitë e vogla. Partia “Mundësia” e drejtuar nga politikani Agron Shehaj, e çeli duke lëvizur me autobus nga veriu në jug të vendit. Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e hapi në Vlorë, ndërsa “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis.
Drejtuesi i fushatës së kryedemokratit Sali Berisha, Chris LaCivita ka mbajtur fjalën e tij në Pallatin e Kongreseve. Përpara demokratëve, ai u shpreh se Berisha është një mik i vërtetë për familjet shqiptare dhe ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator. Programin e Berishës, ai e krahasoi me atë të Presidentëve Ronald Reagan dhe Donald Trump.
Fjala e Chris LaCivita:
Të gjithë e dimë se 12 vitet e fundit nën drejtimin e Edi Ramës kanë qenë një dështim i plotë dhe i madh.
Një dështim në drejtimin e qëndrueshëm dhe një dështim për familjet shqiptare. Ndërkohë kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare. Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump. Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi. Kjo fushatë ka të bëjë pikërisht me këtë: udhëheqjen konservatore dhe të qëndrueshme të Dr. Berishës përballë një socialisti të paqëndrueshëm që fshihet pas hijes së vet. Një fitore për Dr. Berishën është një fitore për familjet shqiptare. Faleminderit! Fitore! Fitore!
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se i janë dashur plot tre vite për të përgatitur programin me të cilin kërkon të vijë në pushtet. Në fjalën e tij që mbajti në Pallatin e Kongreseve, Berisha tha se ky projekt do të rehabilitojë dhe do ngrejë Shqipërinë nga pasojat që solli rilindja në 12 vite. Dhe për të nxjerrë programin e realizimit, kryedemokrati tha se ka patur mbështetjen e ekspertëve të të gjitha fushave në Shqipëri. Ai përmendi dy fondacionet më të mëdha konservatore në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage Foundation që dhanë kontributin e tyre dhe ekspertizën e tyre në këtë program.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Janë dashur tre vite të plota për të hartuar projektin e Shqopërisë Madhështore. Ditën që iu përgjigja thirrjes për t’u rikthyer në mbrojtje të demokracisë, atë ditë unë mora një vendim.
Unë nuk rikthehesha për pushtet, nuk rikthehesha për pasuri, as për luks, nuk kam qenë i interesuar për to as në rininë time, kur unë i jam rikthyer betejës për dinjitetin tim. Aq më pak mund të jem unë në vjeshtën e bukur të jetës sime dhe pas një karriere të përmbushur, nëse do rikthehesha, vendosa të bëj çdo gjë për një trashëgimi të re të PD, të opozitës shqiptare, të konservatorëve shqiptarë. Dhe me arritjen e mëparshme, pluralizmin politik gjatë Berishës së parë, NATO-n gjatë Berishës së dytë, kërkoja diçka që Berisha i tretë të tejkalonte tërësisht të parin dhe të dytin disa herë. Dhe kjo diçka duhet t’u jepte përgjigje halleve dërrmuese të shqiptarëve. Ndaj dhe ne bëmë këtë projekt, duke ditur situatën e rrezikshme ku gjendet Shqipëria. Shqipëria sot po vuan pasojat e një pushtimi nga vjedhja që iu është bërë shqiptarëve këto 12 vjet. Ne jemi në kushtet e një pabarazie të madhe ekonomike. Arsimi është rrënuar siç tregon testi i PISA-s. Shëndetësia është shkatërruar siç tregon skandali i Spitalit Onkologjik. Çmimet e larta dhe korrupsioni e kanë bërë ndërtimin e jetës të pamundur për të rinjtë. 45 përqind e shqiptarëve kanë ikur dhe 84 përqind e tyre që kanë mbetur, duan të ikin. Prandaj PD gërmoi në histori për të gjetur se çfarë programesh kanë përdorur vendet që janë gjetur në rrënoja siç gjendet sot Shqipëria pas 12 vitesh narkodiktaturë. Të frymëzuar nga këto projekte, ne hartuam projektin e Shqipërisë Madhështore, si projektin që do të rehabilitojë dhe do ngrejë Shqipërinë nga pasojat që solli rilindja në 12 vite. Por këtu, modestish unë nuk do bie dakord me ata që thonë se politika është arti i të mundshmes. Jo, për mua dhe për ju që realizuam pluralizmin, që realizuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ne me politikën tonë kemi realizuar të pamundurën. Ndaj dhe ne, këtë projekt e nisëm me të njëjtën formulë të përdorur në arritjet e mëparshme. E nisëm me një ëndërr dhe kjo ëndërr quhet Shqipëria Madhështore. Prandaj ne pyetëm veten: si do e bëjmë këtë ëndërr realitet? Dhe për të nxjerrë programin e realizimit patëm një staf të jashtëzakonshëm, ekspertë të shkëlqyer të të gjitha fushave në Shqipëri, por edhe ekspertë ndërkombëtarë,veçanërisht dy fondacionet më të mëdha konservatore në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage Foundation dhanë kontributin e tyre, ekspertizën e tyre në këtë program. Me ndihmën e tyre ne kthyem projektin e Shqipërisë Madhështore në një plan konkret, plotësisht të realizueshëm në 4 vite. Tani unë do të njoh shqiptarët me projektin e Shqipërisë Madhështore, që për 29 ditë, do të jetë ëndërr e bërë realitet me fitoren e forcave opozitare.
Reperi Rigels Rajku, i njohur gjerësisht si Noizy ka shpjeguar arsyet që e kanë bërë të mbështesë Partinë Socialiste në këto zgjedhje. Në një postim në rrjetet sociale, Noizy thotë se nuk sheh programet e partive, por vetëm individët. Ai shton se pavarësisht se dikur familja e tij ka qenë e djathtë, ajo kohë i kujton vetëm errësirën. Ndërsa sot, nuk ia ‘mbush syrin’ askush tjetër përveç Ramës.
“Shiko, po e them një herë e mirë se çfarë mendoj dhe besoj. Familja ime dikur ishte me PD-në. Mirëpo unë personalisht kam kujtime dhe eksperienca jo të këndshme nga ajo periudhë më kujton një rrëmujë, një errësirë dhe as nuk dua ta imagjinoj të jetoj asnjë ditë si ajo kohë. Me të thënë të drejtën, unë as nuk i shoh programet e partive. Sepse për mua, kushdo ta fitojë, unë prapë i njëjti jam dhe i njëjti do të mbetem: ai që fle i fundit dhe zgjohet i pari, ai që fle më pak se 5 orë gjumë gati çdo ditë, ai që shkon në punë pa orar, për të arritur atje ku asnjë artist rap shqiptar s’ka arritur kurrë. Unë shoh individët kush drejton cilën parti dhe kush janë ministrat e deputetët e secilës parti. Dhe a mund t’u besoj unë këtyre individëve t’u jap votën time për vitet e ardhshme? Deri tani, me të thënë të drejtën, s’ma mbush syrin askush përveç Ramës. Këta dy të rinjtë që dolën në protestë përballë bashkisë, ja nisën duke u kapur me grushta mes vete, nuk u habita, të them të drejtën. E sa i përket këtyre të tjerëve, as që bëhet fjalë. Sepse unë dua ndryshim, por ndryshimi s’ka kuptim nëse s’ka përmirësim. Nuk e kemi luksin të rrimë në vend, e lëre më të shkojmë mbrapa. Kështu që, deri kur dikush të ma mbushë mendjen, unë votoj publikisht PS-në,”- shkruan në postim.

Noizy ishte kryefjala e hapjes së fushatës së Partisë Socialiste në sheshin “Skënderbej”, pasi prezantoi dhe këngën zyrtare, me të cilën kryeministri Edi Rama do të bëjë turin e tij nëpër Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama në hapjen e fushatës elektorale të PS, e mbylli fjalimin e tij duke kërkuar votën e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake me qëllimin e vetëm për Shqipërinë në BE në vitin 2030.
Edi Rama: Do të meritojnë më në fund, dhe nuk e kanë merituar shumë e kanë marrë peng këtë vend dhe e kanë kthyer me sytë nga Azia, do të meritojnë ngaëzillimin e tyre që më bukur se kurdo tjetër shprehet me fjalët e pavdekshme të Gjergj Fishtës, si erdh turrej mendja e shqiptarit për të gëzuar lirinë jetike, trashëgim lanë atij prej të parit e sa u ba gjaku dhe sa rrena e tradhëtia, derisa dul Shqipëria më veti, s’i premtue kish perëndia. Më pas vjen fjalia rrënqethëse, të falesh Shqipëri, ti shpirtim tem dashuri. Besojini kësaj profecie shqiptare me bindjen, besojini këtij momenti ndryshe se është ndryshe jo për ne dhe as për ju, por për Shqipërinë tonë të përbashkët dhe bashkoni me shumicën tonë. Besojini Shqipërisë në BE. Braktisini profetët e rremë, qeniet qesharake që predikojnë madhështira qesharake apo ofrojnë barna popullore për hallet tuaja, të cilat duhet t’i zgjidhim vetëm së bashku për të qenë të lartësuar në historinë e Shqipërisë me Evropën dhe të Evropës me Shqipërinë. Sot është koha për këtë besim të lartë, besim shumë i lartë. Më shumë se kurrë sot është dita që Naimi e pa dhe u ngazëllye… Besojini se Shqipëria bëhet kur ne bijtë dhe bijat e saj t’ia vendosim në kokë kurorën me 12 yjet që flamuri evropian ia huazoi kurorës së zojës lart në qiell, nënë e pepelgrinëve që shpresojnë që si pajtore e Shqipërisë.