Qeveria miraton programin për punësim në administratë! 600 të rinj trajnim me pagesë, 250 prej tyre do të punësohen

Emigracioni i lartë dhe papunësia në radhët e të rinjve ka shtyrë qeverinë të hartojë më shumë politika për punësimin e tyre në vendin tonë.

Rritja e punonjësve në administratën shtetërore por duke përfshirë një kategori të caktuar të të rinjve 21-29 vjeç, është dhe vendimi më i fundit i miratuar në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës.

“Kriteret, që duhet të plotësojë aplikanti për t’u bërë pjesë e këtij programi, janë: Mosha 21 deri në 29 vjeç, Të jetë diplomuar në ciklin e parë apo të të dytë të studimeve, të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme, Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore në të shkuarën”.

Ndërsa numri dhe kategoria e të rinjve që do të pranohen është e përcaktuar, sipas Institutit të Statistikave mbi 19.1% e të rinjve deri në 29 vjeç ndodhen aktualisht të papunë.
600 të rinj do të kenë mundësinë të trajnohen në administratë për një periudhë 3 mujore por vetëm 250 prej tyre do të sigurojnë një kontratë punësimi, e cila do të njihet në fund edhe si vjetërsi pune.

“Përzgjedhja e praktikantëve për efekt të punësimit përfshin deri në 200 praktikantë për institucionet e administratës shtetërore, 50 praktikantë për institucionet e tjera publike. Praktikanti për t’u punësuar për 1 vit duhet të ketë përmbyllur me sukses praktikën 3 -mujore dhe programin e trajnimit pranë administratës. Ndërsa përzgjedhja e tyre do të kryhet nga secili institucion pjesëmarrës, bazuar në vlerësimin e performancës”.

Të gjithë praktikantët do të trajtohen me pagesa ditore deri në 500 lekë dhe ushqim për ndjekjen e praktikave. Në të gjithë administratën publike sipas Institutit të Statistikave janë të punësuar mbi 184 mijë individë.

Lajme të tjera |  Qeveria premtoi se do të rritë pensionet, tashmë parashikon edhe rritjen e moshës së daljes në pension (DOKUMENTI)

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us