Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me fermerët në Elbasan në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit ka komentuar edhe skandalin me 27 ton mish pule me salmonelë të importuara në vendin tonë nga Brazili.
Berisha ka ngritur akuza se biznesmeni që solli pulën me salmonelë në Shqipëri nga Brazili, është eksponent socialist. Kryedemokrati theksoi se Mondi Goxha i ka sjellë fileto pule dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, Rama u sëmur nga salmonela, por e ka mbajtur këtë të fshehtë duke gënjyer edhe mjekët.
“Biznesmeni që solli pulën me salmonelë ishte eksponent i PS. I solli dhe Ramës, e zuri salmonela dhe gënjeu mjekët,” tha Berisha.
Biznesmeni Mondi Goxha është pronari i dy kompanive ‘AMG’ dhe “diMal” të cilat importuan dhe shpërndanë në treg mishin e infektuar të pulës. Biznesmeni së bashku me vëllain e tij, Arben Goxha administratori i kompanisë ‘diMal’ po hetohen në gjendje të lirë. Dy vëllezërit akuzohen për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njërzëve“.
27 ton mish pule me salmonelë u importuan nga Brazili në vendin tonë. Mishi me salmonelë është futur në vendin tonë nga Brazili dhe është shpërndarë në treg nga kompania “diMal”. Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me “Salmonella Typhimurium”, por që në këtë kohë, mishi ishte shitur. Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5 mijë kilogramë; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit.