Në kuadër të takimeve elektorale për zgjedhjet e 11 majit, kryesocialisti Edi Rama u ndal në një takim me qytetarë në Maliq. Mesazhin e ka të qartë për të gjithë shqiptarët, duke kërkuar votën përtej të majtës e së djathtës.
Kryetari i PS e konsideron 11 majin një moment historik, duke thënë se nga kutitë e votimit nuk duhet të nxjerrin thjeshtë një fitore aritmetike, por edhe një shumicë popullore për t’i dhënë mesazhin BE se zonja Shqipëri kërkon të ulet në sofrën e përbashkët.
“E kemi bërë si zakon që takimin e parë në çdo vrap drejt finisht ta bëjmë në Maliq për të marrë energjinë e madhe pozitive që ka në këtë stacion dhe në këtë bastion të palëkundur të PS. Sot unë kam ardhur këtu për të folur për një punë shumë të madhe, shumë të veçantë, që një individ dhe populli i bie rrallë herë që t’i kryejë dhe kjo është puna e madhe e 11 majit që përtej tifozllikut partiak, na duhet të bashkohemi të gjithë si shqiptarë dhe duke u bashkuar t’i japim një mbështetje shumë të fuqishme negociatave me Bashkimin Europian.
Na duhet të bashkohemi të gjithë si shqiptarë dhe t’i japim një mesazh shumë të qartë të gjithë vendeve të Europës, duke nxjerrë nga kutitë e votimit një shumicë popullore që i thotë Europës, duam të ulemi tani në sofrën e përbashkët të BE. Ka edhe dy vite kohë, kini parasysh që negociatat zhvillohen mes dy palësh, janë rreth 1 mijë vetë nga ana jonë, 1 mijë vetë nga ana e tyre që merren me negociatat për të kuptuar se çfarë lloj volumi pune është”, tha Rama.
Votën për kundërshtarët poltikë, e sheh si një votë për interesin e vetëm të familjes së kënetës, siç ai e quan Sali Berishën.
“Kjo është një zgjedhje midis interesit të mbarë një populli, dhe hallit të një njeriu të vetëm. Zgjedhja është kundër së mirës së madhe të përbashkët të gjithë këtij kombi dhe interesit të një familje të vetme. Zgjedhja është midis Shqipërisë 2030, në Bashkimin Europian, zonjë në Europë, dhe kënetës dhe bufit të saj për ta kthyer Shqipërinë atje ku ajo përfundon kur është në ato duar”,-tha Rama.