Në ditën që kryeministri Edi Rama do të jetë në Greqi, për të takuar komunitetin shqiptar atje, kryeministri vendas Mitsotakis do të udhëtojë drejt Turqisë, pasi të hënën do të ketë një takim me presidentin Erdogan. Burime bëjnë me dije se Rama do të udhëtojë drejt Greqisë të shtunën në mbrëmmje me një charter privat, ndërsa takimi me emigrantët do të mbahet të dielën në orën 11. Mësohet se takimi do të hapet me një koncert ku do të jenë të ftuar këngëtarë shqiptarë.
Një ditë më parë, Mitsotakis e ka cilësuar vizitën e Ramës si të panevojshme, ndërsa u shpreh se ai nuk është një i ftuar i qeverisë, por gjithsesi ata nuk e ndalojnë dot vizitën e tij. Nga kjo deklaratë kuptohet se nuk pritet ndonjë takim mes Ramës dhe homologut të tij grek, qoftë kjo dhe në rrugë private.
Sias mediave turke Mitsotakis do të udhëtojë të dielën drejt Ankarasë ku pritet të zhvillojë një takim me presidentin turk Erdogan, më 13 Maj.
“Presidenti Recep Tayyip Erdoğan konfirmoi të hënën se kryeministri Kyriakos Mitsotakis i Greqisë fqinje do të vizitojë Turqinë më 13 maj. Vizita u njoftua tashmë nga Mitsotakis dhe pason një vizitë në Athinë nga Erdogan në dhjetor. Megjithëse ndajnë një histori dhe trashëgimi kulturore, të dy vendet në anët e kundërta të detit Egje kanë qenë armiqësore ndaj njëri-tjetrit në të kaluarën lidhur me një numër çështjesh, kryesisht ndarjen e ujërave territoriale dhe politikat lidhur me ishullin, çështje që pritet të diskutohet mes Mitsotakis dhe Erdogan”, thuhet në artikull.
Nuk dihet nëse takimi i Mitsotakis është rastësor në të njëjtën datë me vizitën e Ramës drejt Athinës, por kjo koincidencë nuk ka kaluar pa u komentuar nga vetë grekët. Për vizitën e Ramës pati një sërë reagimesh në Greqi, ndërsa vetëm ditën e djeshme u arrit një marrëveshje për gjetjen e një salle për takimin. Socialistët kanë pritshmëri se në këtë takim do të ketë një pjesëmarrje të madhe, dhe për këtë kanë kërkuar që tubimi të mbahet në ambientet e stadiumit Galatsi.