Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka shkruar për kryetarin e Leposaviçit, Lulzim Hetemi, i cili po qëndron brenda objektit të komunës në veri të Kosovës që nga 29 maji.
“Njihuni me kryebashkiakun e qytetit të vogël të Kosovës, i cili është refuzuar nga shumica e banorëve të komunës së tij dhe i cili është bllokuar mes tensioneve mes shqiptarëve dhe serbëve që kanë kaluar në dhunë sporadike këtë vit,”– kështu e nis Reuters shkrimin për ngujimin e Lulzim Hetemit.
Hetemi në një bisedë për Reuters ka thënë se nuk është se e bënë me dëshirë këtë, pasi sipas tij askush nuk do të donte të qëndronte në zyrë e të flinte në karrige. Gjithashtu bashkangjitur shkrimit Reuters ka ndarë dhe foto nga dhoma ku Hetemi fle prej disa muajsh.
Artikulli i plotë:
Hetemi, u zgjodh me vetëm 100 vota në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët etnikë që janë pakicë në tërë Kosovën, por që përbëjnë më shumë se 97% të popullsisë së përgjithshme të Leposaviçit. Ndërsa shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën dërrmuese të 1.8 milionë banorëve të Kosovës, 50,000 serbë në veri të saj refuzojnë shtetësinë e Kosovës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë pas një kryengritjeje guerile. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Trazirat në veri u intensifikuan pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në zonën me shumicë serbe, një veprim që bëri që SHBA-ja dhe aleatët e saj ta qortonin Prishtinën. Popullsia serbe kishte bojkotuar zgjedhjet, të cilat u zhvilluan në katër komuna veriore pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqjen në një mosmarrëveshje të gjatë mbi regjistrimin e makinave. Rajoni verior ka parë dhunën më të keqe këtë vit që nga pavarësia, duke kulmuar në fund të shtatorit kur persona të armatosur serbë sulmuan policinë në fshatin Banjskë. Një polic dhe tre persona të armatosur kanë vdekur.
Menjëherë pasi Hetemi bëri betimin e tij, ai tha se protestuesit e dhunshëm serbë e rrethuan zyrën e tij duke i kërkuar që të largohej. Hetemi ka refuzuar dhe thotë se ka qëndruar në ndërtesë që nga 29 maji pa u kthyer në shtëpinë e tij për asnjë ditë.
“Kush ka dëshirë të qëndrojë në zyrë dhe të flejë në karrige?”, tha Hetemi duke përshkruar ditët e para të izolimit.
“Kur kandidoja për kryetar komune nuk e kisha idenë nëse serbët do të tërhiqen nga gara zgjedhore dhe do të bëjnë një manovër të tillë siç e bënë”.
Më vonë ai gjeti një shtrat për t’i zëvendësuar karriget dhe fle në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, ku takohet me të dërguar ndërkombëtarë dhe zyrtarë të NATO-s, të cilët po përpiqen ta parandalojnë çdo dhunë dhe ta gjejnë një zgjidhje për zgjedhje të reja. Kostumet varen në mur dhe ka tre shishe mjaltë sipër një tavoline, njëra pothuajse bosh.
Ish-stafi komunal në Leposaviq kanë refuzuar t’i shërbejnë një kryetari shqiptar dhe janë zëvendësuar nga 75 punëtorë të tjerë, të cilët janë po ashtu serbë. E respekton administratën e mëparshme. Hetemi tha se kishte qenë i kujdesshëm që të mos prekte asgjë që i përkiste administratës së mëparshme, përfshirë disa dhjetëra shishe me pije alkoolike.
“Ne nuk kemi prekur asgjë, as pijet e tyre, librat, flamujt e Serbisë dhe as pikturat e tyre”, tha Hetemi, duke treguar tre kuti me flamuj serb dhe simbole të tjera. “Kur ata do të kthehen do të gjejnë gjithçka siç u larguan sepse ne nuk duam të shkatërrojmë asgjë”.
Jashtë, ushtarët amerikanë të cilët thanë se ishin nga Teksasi dhe janë pjesë e forcës së NATO-s në Kosovë, po hanin mëngjes ndërsa qentë endacakë shpresonin për mbeturinat. Hetemi, duke i parë nga kati i tretë, del çdo ditë në një tarracë për të marrë ajër të pastër dhe për ta parë qytetin.
Hetemi tha se është i gatshëm ta përfundojë mandatin e tij kur të shpallen zgjedhjet e reja, por ende nuk ka marrëveshje për këtë në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet serbëve të Kosovës dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës.
Në një shenjë progresi, banorët vendas kanë kërkuar shërbimet e bashkisë për t’i regjistruar veturat e tyre. Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar një afat më 15 dhjetor për rreth 10,000 shoferë që t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa të Kosovës ose do të përballen me dënime të rënda. Për vite me radhë, shumë serbë etnikë kanë refuzuar t’i regjistrojnë automjetet me targa të Kosovës, duke përdorur sistemin e tyre në vend të kësaj, i cili shihet si i paligjshëm nga Prishtina.