Reforma e rritjes së pagave në sektorin publik do të vazhdojë gjatë vitit 2024, u shpreh ministri i Financave Ervin Mete, me qëllim arritjen e pagës mesatare 900 euro
Në një konferencë për shtyp, ku bëri analizën vjetore të Ministrisë së Financave, Mete shpjegoi se në muajt e parë të vitit do të finalizohen vendimet që specifikojnë rritjen për të gjitha kategoritë, për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe punonjësit e niveleve zbatuese të administratës.
“Për të gjitha këto kategori, nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrijmë pagën mesatare prej 900 Euro në sektorin publik. Në total, efekti vjetor për financimin e reformës së pagave llogaritet në afro 40 miliardë lekë, ose 400 milionë Euro dhe parashikohet që rritja të vijojë më tej, për të mbështetur punësimin cilësor dhe për të arritur ndër pagat më konkurruese në rajon. Besojmë që kjo rritje pagash do të rrisë konkurrencën në tregun e punës, duke nxitur edhe rritjen e pagave në sektorin privat”.
Ndërkohë, do të ketë rishikim edhe në skemën e pensioneve.
“Kemi nisur punën me mbështetjen e Bankës Botërore, për të realizuar një vlerësim të shtyllave të mbrojtjes sociale. Pjesë e analizës vlerësuese, siç e kam theksuar edhe më herët, do të jetë edhe skema e pensioneve, me qëllim jo vetëm rritjen e qëndrueshmërisë së saj, por edhe për një shpërndarje më të drejtë të mbështetjes për kategoritë e pensionistëve”.
Qeveria synon të raportojë rritje ekonomike në fund të këtij viti
“Parashikimet tona janë që ekonomia do të vijojë të zgjerohet, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, ecuria e mirë e sektorit të energjisë dhe ai i ndërtimit. Rritja pritet të jetë të paktën në nivelet e vitit 2023, ose edhe më e lartë dhe e balancuar me zhvillimet e ekonomisë evropiane.
Buxheti i këtij viti, i cili tashmë ka nisur zbatimin, do të mbështesë më tej rritjen ekonomike, me 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara, ndërkohë që borxhi publik pritet të zbresë për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60%.
Ky është një buxhet ambicioz, që i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë, duke mbajtur një nivel të lartë të investimeve publike, duke rritur transfertën për pushtetin vendor, duke financuar sektorin e mbrojtjes që arrin për herë të parë 2% të GDP-së si angazhim i anëtarësimit në NATO, duke mbështetur më tej reformën në drejtësi, si edhe komponentët e mbrojtjes sociale”.