Kryeministri Edi Rama ka komentuar ndikimin që ka pasur arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në fushatën elektorale që po zhvillohet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në çelje të fushatës elektorale kryesocialisti Edi Rama ka dhënë një intervistë ekskluzive për Top Channel duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Muhamed Veliu, lidhur me mënyrën se si është konceptuar kjo fushatë elektorale. Për Ramën, fokusi është i njëjtë.
Pjesë nga intervista:
Muhamed Veliu: Është fakt që Erion Veliaj ishte një makinë elektorale në Tiranë. Sa ka ndikuar arrestimi i tij në fushatën elektorale të Tiranës?
Rama: Nuk do të bëj asnjë koment për këtë. Tani jemi të gjithë të fokusuar te 11 maji dhe çdo energji, çdo forcë, çdo gjallë është vetëm për 11 majin.
Muhamed Veliu: Sa shqetësuese janë për rezultatin përfundimtar të PS-së, përfshirja e partive të reja në këtë garë elektorale?
Edi Rama: Nuk kemi asnjë shqetësim për këtë. Partitë e reja, që në fakt, në këndvështrimin tim me aq sa kam parë dhe me aq sa kam mundur të dëgjoj deri më sot, të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të partive të tyre, sepse qasjen, gjuhën, mënyrën e ndërveprimit e kanë shumë të vjetër dhe të kujtojnë “kënetën” një në dy fjalë, një në dy gjeste, një në dy ulërima. Por nga ana tjetër janë të mirëseardhura në fushën e betejës. Nuk mund t’i uroj sukses, por patjetër që nuk kam asnjë problem me ta.
Muhamed Veliu: Kush besoni se do të jetë ylli i skuadrës socialiste në përfundim të këtyre zgjedhjeve? Sepse ju e keni përmendur shpesh, ju keni ndërtuar një ekip…
Edi Rama: Ne yllin e kësaj fushate kemi yllin e verdhë të Shqipërisë, që duam me patjetër ta instalojmë në qiellin blu të Bashkimit europian.