Një draft i ri i marrëveshjes qendrore në samitin global të klimës COP28 është publikuar së fundmi. Drafti nxit shtetet që të bëjnë tranzicion prej lëndëve djegëse të papërpunuara, në mënyrë që të shmanget më e keqja në ndryshimet klimatike.
Synimi i marrëveshjes është largimi nga karburantet fosile, por sipas CNN drafti nuk i kërkon botës që të “përjashtojë” qymyrin, naftën dhe gazin siç kishin shpresuar më shumë se 100 vende dhe përfshin “zbrazëtira” që do të lejonin përdorimin e tyre të vazhdueshëm, madje edhe përtej vitit 2050.
Marrëveshja ofron tetë opsione, njëra prej të cilave është “largimi i lëndëve djegëse fosile në sistemet energjetike, veprim i përshpejtuar në këtë dekadë kritike, në mënyrë që të arrihet zero neto deri në vitin 2050”. Gjithashtu në të bëhet thirrje edhe për trefishim të kapacitetit për energji të ripërtrishme deri më 2030, që të rriten përpjekjet për ta zvogëluar përdorimin e thëngjillit, dhe që të punohet drejt dekarbonimit të industrive.
Marrëveshjet e arritura në samitet e Kombeve të Bashkuara duhet të miratohen me konsensus, dhe më pas secili shtet është përgjegjës për zbatimin e tyre, përmes politikave dhe investimeve kombëtare. Nëse miratohet do të shënojë hapin e parë në dekada ku shtetet janë pajtuar për të hequr dorë gradualisht nga nafta, gazi dhe thëngjilli.