Samiti i Hagës, kur Trump zgjoi NATO-n…

Nga Kristaq Xharo*

“Kush nuk e mbron veten, nuk mund të kërkojë ta mbrojnë të tjerët…” Barak Obama

Në arkitekturën e një aleance nuk mjaftojnë muret, duhen edhe shtyllat që nuk duken. NATO, në themel të saj, ka dy artikuj që mbajnë numrat: 3 dhe 5. Artikulli 5 aq shumë i përmendur duket se ka marrë gjithë hijen e rëndë të aleancës e ndjehet si kambana që bie kur kalaja sulmohet – dhe të gjithë vrapojnë në mbrojtje. Por, kambana është e vështirë për ata që nuk kanë ndërtuar më parë vendrojën e tyre. Artikulli 3 është ai esenca e fuqisë që edhe përse i heshtur shfaq përkushtimin dhe përgjegjësinë e çdo vendi për të qenë vetë i gatshëm, që shumë kohë para se të thërrasë ndihmën e të tjerëve, por jo vetëm kaq edhe i aftë që të afrojë kapacitetet e veta në funksion të qëllimit. Më thjeshtë pa artikullin 3 nuk mund të funksionojë artikulli 5.

Në kohë paqeje ndërtohet siguria. Në kohë mjegulle mprehen parimet. Dhe në këtë stinë të re pasigurie globale, ku reja e kërcënimeve nuk ka drejtim të qartë – nga agresioni rus te sabotazhi kibernetik – NATO po shtrëngon themelet e saj: nuk ka solidaritet pa seriozitet. Dhe Samiti i Hagës nuk ishte thjesht një takim vjetor, por një akt kujtese: që të kërkosh mbrojtje nga NATO, që është shumatorja e aleancës, duhet të zotërosh kapacitetet e nevojshme të mbrohesh fillimisht vetë.

Në esencë të Deklaratës së Hagës qëndron angazhimi për të investuar 5% të PBB-së në mbrojtje deri më 2035 – një objektiv që ndan detyrimin, përgjegjësinë në dy shtylla: 3.5% për forcat e armatosura dhe kapacitetet e mbrojtjes; 1.5% për mbrojtje civile, teknologji, dhe infrastrukturë. Në pamje të parë duket si një çështje buxheti, por në thelb është një filozofi: kush nuk kontribuon, nuk përfiton, kush nuk përgatitet, nuk mbrohet…dështon.

U desh kohë që të vinte ky ndryshim, kjo kthesë strategjike që nuk ndodhi vetvetiu. Ajo u nxit – në mënyrë ‘brutale’, por po aq efektive – nga ndërhyrja e presidentit Trump. Që në Samitin e Brukselit më 2018, më shumë se sa diplomaci, përdori paralajmërimin: “SHBA nuk mund të mbulojë përjetësisht barrën që vendet europiane refuzojnë të mbajnë.” Ai nuk e sulmoi Aleancën, siç shumë gabimisht e akuzuan – ai e zgjoj atë nga gjumi. Fjalët e tij sollën një tronditje, nga mjaft evropianë, të kuptuar si për të prishur rendin, por qartas për ta kthyer atë në themel.

Zgjimi edhe pse në dukje tronditës, ndodhi…e ndërgjegjësimi filloi. Vendet baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania jo vetëm që e kaluan pragun 2% për mbrojtje, por investuan fuqimisht në kapacitete të fuqisë, mobilizim, kooperim, stërvitje dhe mbrojtje kibernetike. Polonia shkoi përtej 3% të PBB-së. Finlanda – anëtare e re – erdhi me kapacitete të një fuqie të aftë dhe me një opinion të përgatitur për rrezikun. Revolucioni ndodhi në vendet më të mëdha, si Gjermania, Franca e Britania, që filluan të rishikojnë prioritetet. Por e gjithë kjo vështirë se do të ndodhte pa trysninë e ‘nenit Trump’ – që ne dukje edhe paradoksale ishte thirrje për rikthim në artikullin 3 të Traktatit Themelues të Uashingtonit.

Lajme të tjera |  Mesazhi i parë i Khameneit pas armëpushimit: Urime për fitoren ndaj Izraelit!

Në të vërtetë, Trump nuk shpiku një rregull të ri – ai vetëm foli për një rregull të hershëm, që shumica e vendeve anëtare e kishin harruar: aleanca nuk është ‘siguracion falas’. Ajo vjen si bashkim përpjekjesh të barabarta e kapacitetesh optimale. NATO nuk është një çadër e madhe për ata që nuk kujdesen për themelet e shtëpisë së tyre. Për një kohë të gjatë , shumica e shteteve qëndronin nën këtë çadër – duke u fshehur pas retorikës së ‘artikullit 5’, duke shmangur detyrimin moral, fizik dhe strategjik të ‘artikullit 3’. Dhe me të drejtë, në këtë zbrazëti besimi kolektiv filloi të lëkundet besimi te aleanca. Trump e lajmëroi këtë në samitin e Brukselit 2018…

Prandaj, Deklarata e Hagës nuk ishte një samit i zakonshëm, por do të mbetet historike. Ishte lajmi për të dëshmuar se kërcënimet janë reale, por ajo që i bën ato më të rrezikshme është boshllëku që lënë vetë anëtarët e aleancës. Portat e ‘artikullit 5’ nuk hapen me fjalë të bukura, por me prova të prekshme përkushtimi. ‘Artikulli 3’ është prova e vetme, i cili nuk kërkon kurora e as fjalime. Është esenca e fuqisë, ‘hard dhe soft’, infrastruktura, laboratorët e inovacionit, rezervat energjetike, kampet e stërvitjes. Dhe pa ato, çdo premtim i aleancës është i dobët e për pasojë i pamjaftueshëm, ndoshta dhe bosh. Në fund të ditës, një aleancë është si një zinxhir.. dhe zinxhiri është aq i fortë sa hallka e tij më e dobët.

Lajme të tjera |  Dash Sula në parlament: Duhen politika të mira që të rinjtë të qëndrojnë në vend. Të përmirësohen të drejtat në punë

Në Hagë në 2025 ra kambana, në Tiranë në 2027 me siguri do të jetë ngritur mburoja. Samiti i NATO-s e bëri të qartë: siguria fillon në shtëpi dhe solidariteti ndërtohet mbi përkushtimin, jo mbi fjalët. Presidenti Trump nuk la vend për keqkuptime – nuk ka artikull ‘5’ pa ‘3’. Edhe vendi ynë si vend pritës i Samitit, do të duhet të dëshmojë se nuk jemi hallka e dobët, por një vend që mbështet në themelet e veta. Në një botë ku rreziqet nuk paralajmërojnë, vetëm ata që përgatiten kanë të drejtë të kërkojnë solidaritet. Dhe Shqipëria, nëse do të trokasë me dinjitet në portën 5, duhet të dëshmojë se mburojën nuk ia kanë sjellë të tjerët – e ka farkëtuar vetë. Mjaft duke mallkuar të shkuarën, por vullnet e optimizëm për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen…

Pyetjes së famshme të Markës se ‘…përse bien këto kambana…’ qartë duhet të ndjehet se kambanat bien ngaqë diçka po vjen… e nëse nuk i dëgjojmë, kjo ndodh jo sepse ato nuk oshtijnë mjaftueshëm fort, por sepse jemi mësuar të besojmë se asgjë nuk po ndodh… Kambanat bien jo për t’u dëgjuar, por për t’u zgjuar. Dhe kur ato bien, si në romanin e Márkes, ndodh zakonisht sepse ne kemi zgjedhur ta neglizhojmë të pashmangshmen – deri sa ajo të bëhet realitet.

*Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us