Shpirti grek

NGA Bjorn Runa

Protestat masive të organizuara nga familjet e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Tempi të Greqisë, tregojnë për një shpirt rezistence që në Shqipëri po zhduket dita-ditës. Ndonëse përballen me përpjekjet e qeverisë për të fshehur shkaqet e vërteta të aksidentit dhe akuzat se po dëmtojnë imazhin e vendit – thjesht sepse kanë zgjedhur të flasin para Parlamentit Evropian për atë çfarë ndodh në Greqi – këta qytetarë kanë qëndruar të palëkundur. Duket se ata e kuptojnë se pushteti nuk mund të vetërregullohet nëse ndaj tij nuk ushtrohet presion. Por, një nivel i tillë vetëorganizimi dhe vendosmërie qytetare, të shtyn të pyesësh veten se përse lëvizje të tilla duken thuajse të pamundura në Shqipëri?

Të përballur me korrupsionin, dështimin e institucioneve apo edhe neglizhencë e hapur shtetërore, reagimi ynë është krejt tjetër. Ankohemi, mallkojmë politikanët që na drejtojnë, për të jetuar sërish sikur gjithçka të jetë normale.

Nuk është fjala thjesht për dorëzim, por për një refuzim të rrënjosur thellë ndaj marrjes së përgjegjësisë. Nuk ngurrojmë të dënoncojmë padrejtësitë, por jemi tepër të ngathët për të vepruar kundër saj. E dimë ekzaktësisht se si funksionon sistemi dhe dështimet e tij në çdo nivel, por kjo vetëdije nuk përkthehet thuajse kurrë në veprim kolektiv. Përkundrazi, ne zgjedhim të distancohemi duke e trajtuar politikën si diçka që nuk na përket, një tjetër sferë e kontrolluar nga të tjerë persona. Në anën tjetër, klasa politike është e ndërgjegjshme ndaj kësaj mendësie dhe pikërisht për këtë arsye nuk i tremben zemërimit publik. Ata e dinë se sado të pakënaqur të jemi, kjo pakënaqësi nuk do të organizohet kurrë në një rezistencë të qëndrueshme.

Shpesh thuhet se historia na ofron përgjigjet e duhura për të kuptuar të tashmen, por edhe e kundërta mund të jetë e vërtetë. Sot mund të kuptosh lehtësisht se përse figura historike me origjinë arvanite, zgjodhën të luftonin për kauzën greke. Sepse aty kishte thelb, ide, vision – diçka tek e cila mund të besonin, pavarësisht se si u trajtuan më pas shumica e tyre.

Lajme të tjera |  Pse këto zgjedhje do të prodhojnë një Kingmaker

Ndërsa revolucionarët grekë organizonin përpjekjen për pavarësinë e vendit të tyre nga Perandoria Osmane, shumica e poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë të kohës prodhonin bejte dhe rima dekorative, vargje në vend të vizionit, duke u kapur fort pas traditës në vend që të formësonin të ardhmen. Deri në atë pikë sa shumë nga luftëtarët e përpjekjes greke për pavarësi të 1821, për origjinën shqiptare të të cilëve sot na pëlqen të mburremi, zgjodhën të luftojnë për kauzën greke, duke përqafuar idealet e lirisë, sovranitetit kombëtar dhe vetëqeverisjes. Ideale, të cilat vështirë se i gjen në tekstet e ndonjë prej rilindasve tanë, edhe pse të shkruara gati një shekull pasi rezultatet e këtyre idealeve ishin parë në praktikë në luftërat për pavarësi të SHBA-së, revolucionin francez dhe revolucionin grek të 1821-it. Thua të kenë qenë vërtet kaq të paditur dhe të painformuar, apo mos ndoshta jetesa dhe postet e rehatshme brenda Perandorisë jua pamundësonin vizionin e kthjellët?

Kjo na ka lënë me një trashëgimi të rrezikshme. Një vend ku njerëzit e shohin veten vetëm si individë dhe kurrë si pjesë e një force kolektive. Ku përpjekja për mbijetesë individuale na nxit të shkatërrojmë ata të ngjashëm me ne, me shpresën dhe probabilitetin e vogël se mund t’ia dalim mbanë dhe nëse ia hedh për vete, në djall të tjerët. Një shoqëri ku ideja e të luftuarit për diçka që shkon përtej interesit të menjëhershëm vetjak, duket naive.

Lajme të tjera |  “Kam eksperiencën të mbaj premtimet”- Berisha: Do ju kthejmë paratë e vjedhura

Praktikisht kemi ngritur një kulturë të tërë rreth shmangies së përgjegjësisë. Fajësojmë politikanët, që të mos pyesim vetem se përse i lëmë të qeverisin të pambikqëyrur. Përqeshim aktivistët për të mbyur ndjesinë e fajita se nuk iu bashkohemi atyre. I quajmë protestat të padobishme, që të justifikojmë qëndrimin në shtëpi. Dhe më e keqja, ne presim… Presim që dikush tjetër të ndërmarrë rrezikun, të veprojë në vendin tonë dhe të sjellë ndryshimin. Ndaj, asgjë nuk ndryshon dhe s’ka për të ndryshuar.

Greqia nuk është një vend perfekt dhe me gjithë pakënaqësitë tona historike ndaj saj, ajo mbetet një shoqëri ku njerëzit ende besojnë se pushteti mund dhe duhet të sfidohet. Ne nga ana tjetër, e kemi bindur veten se pavarësisht se si veprojmë, pasojat janë parashkruar nga dikush tjetër. Por, dorëzimi është zgjedhje. Deri kur të kuptojmë se asnjë sistem nuk mund të funksionojë pa dakordësinë e atyre që qeveris – qoftë kjo dakordësi aktive a pasive – do të mbetemi ekzaktësisht këtu ku jemi. Një shoqëri plot me njerëz që e shohin qartësisht problemin, por nuk duan ta zgjidhin atë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us