Sot 25 vite nga sulmet e NATO-s mbi Beograd. Sulmet nisën pa aprovimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që vendimi u mor pas refuzimit të asokohe presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, që të zgjidhej politikisht kriza e Kosovës.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Mesazhe nga zyrtarë të lartë të vendit dhe jo vetëm, janë përcjellë për të kujtuar këtë ditë historike.
Presidentja Vjosa Osmani bëri homazhe në varret e ushtarëve të NATO-s. Ajo i falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën për popullin e Kosovës duke parandaluar në këtë mënyrën shfarosjen e tyre.
“Në emër të popullit të Kosovës, këtij populli që ishte në rrezik nga shfarosja në vitin 1999, t’i falënderoj nga zemra secilin nga ushtarët e NATO-s që rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që ta shpëtojnë tonin”, tha Osmani.
Një reagim e pati edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili shprehu falenderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa përkujtoi me nderim heronjtë e UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.
“Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA! 25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë. Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët”, shkroi Begaj.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani shprehet se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.
“Njëzet e pesë vjet më parë, ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në zhbërjen e ambicieve gjenocidale të Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Sot, Kosova e pavarur dhe sovrane, është dëshmi e rezistencës së popullit të saj dhe sakrificave të bëra nga luftëtarët e lirisë. Me vendosmëri, Kosova ka evoluar në një demokraci funksionale, që synon integrimin e plotë në familjen euro-atlantike”, shkruan Hasani.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndërhyrja e NATO-s para 25-vjetëve në Kosovë ka qenë e nevojshme dhe se është bërë gjithçka për të parandaluar mizoritë e regjimit të Millosheviçit. Në platformën X, Rohde shkruan sei qëndrojnë këtij vendimi.
“Ne bëmë atë që ishte e nevojshme për të parandaluar gjakderdhjet dhe mizoritë e mëtejshme nga regjimi i Millosheviçit në Kosovë pasi diplomacia dështoi. Ishte përgjegjësia jonë morale dhe ne i qëndrojmë atij vendimi”, shkruan ai në “X”.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s. Sot, 25 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.