Një ditë pasi SPAK depozitoi kërkesën në Kuvend, për të marrë autorizim për arrestimin e Sali Berishës, Lulzim Basha ka ardhur me një propozim për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit. Basha kërkon që në rregulloren e Kuvendit të shtohet një pikë ku deputetët të mund të heqin dorë vullnetarisht nga imuniteti.
Sipas amendamentit, në momentin që nis legjislatura e re, deputetët duhet të bëjnë një deklarim paraprak, që heqin dorë nga imuniteti në rast se nis një hetim për ta, dhe autorizimi atëherë kur kërkohet nga organet e drejtësisë, quhet i dhënë automatikisht me këtë deklarim.
SPAK kërkoi dje një masë më të ashpër sigurie për Sali Berishën, arrest shtëpie, masë e cila pritet të miratohet ditën e hënë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve në Kuvend. Nuk dihet nëse SPAK do të ballafaqojë argumentet me Berishën, apo do të zgjedhë vetëm që ti kërkojë aprovimin Kuvendit për arrestimin e tij.