Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, i është bashkuar kritikave të ndërkombëtarëve, për sulmet që po i bëhen në ditët e fundit, Prokurorisë së Posaçme. Në një aktivitet ku ka qenë i pranishëm në Tiranë, Gonzato është shprehur se sulmet ndaj sistemit të drejtësisë janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.
Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tha Gonzato në reagimin e tij.
“Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Gonzato.
Më herët gjatë ditës së djeshme, sulmet ndaj SPAK-ut u dënuan dhe nga ambasada e SHBA-ve në vendin tonë, si dhe ajo britanike. Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe njëherësh ish-president dhe kryeministër i vendit, ka nisur një fushatë sulmesh në drejtim të Altin Dumanit, që sipas tij po synon që të vrasë pluralizmin në Shqipëri.