Banorët e 7 fshatrave të Malësisë së Kurbinit janë ngritur në protestë pasi prej vitesh janë “harruar” nga investimet të cilat kanë sjellë që ata të mos kenë rrugë, energji elektrike dhe shërbim shëndetësor. Në një terren malor dhe pa asnjë shërbim e investime këto zona janë kthyer si vende nga epokat e së kaluarës.
“Ne nuk kemi as drita, as rrugë, asgjë. Nuk ka vënë dorë kurrkush në këtë zonë, pavarësisht se është zona turistike fshati Skuraj. Është shumë vështirë me lëviz, me thënë nuk lëvizet fare se është krejt gropa, krejt rruga e dëmtuar. Po ikin dita e ditës së s’kanë ca bëjnë, rrugë s’ka, drita s’ka. 12 muajt e vitit ne kemi drita pothuaj 6 muaj.
Unë marr çdo ditë kalamajtë e shkollës, nga Llata i çoj në Skuraj. Kush dorë nuk ka vënë këtu asnjëherë, s’dalin punëtorët e mirëmbajtjes, e as nuk vjen bashkia. Sa herë bie shi ne jemi pa drita. Normale nuk është”, thonë banorët.
Mungesa e investimeve ka sjellë që këto fshatra të braktisen duke sjellë që nga një numër prej 8 mijë banorësh sot gjenden vetëm 1 mijë banorë te cilët përballen me një zonë plot problematika.
“Premtime ka pasur sa duash, por nuk janë realizuar asnjë. Problem sa të duash, se njerëzit kanë ik gjithë me shtëpi me qira, pasi s’kanë gjet rrugë tjetër. Ka kaq vite që s’ka pasur investim në rrugë, drita s’kemi, paguajmë internetin 25 mijë lek, drita s’kemi 20 ditët e muajt. Vetëm për drita e ujë kemi vuajtur”, shtojnë banorët.