Sikur të mos mjaftonte dhimbja e humbjes së tyre, familjarët e Lorenc Dedajt dhe Leonard Farrukut kërkojnë ndihmë për të kthyer trupat e të rinjve që të prehen në atdhe. Leonard Farruku është i riu që i dha fund jetës së tij teksa qëndronte në anijen hotel në Britaninë e Madhe, në pritje të përgjigjes së kërkesës për azil.
Dedaj nga ana tjetër humbi jetën në Gjermani, teksa u vra me thikë pas një sherri me një shtetas kurd. Të dyja familjet e kanë të pamundur që të përballojnë shpenzimet për kthimin e trupave, dhe për këtë kanë kërkuar ndihmën e të gjithë shqiptarëve. Leonard Farruku ka humbur të dy prindërit e tij, dhe ka vetëm të motrën e cila jeton në Itali.
Farruku i dha fund jetës në datën 12 Dhjetor, dhe tashmë motra e tij kërkon sigurimin e 10 mijë stërlinave për të kthyer trupin e pajetë në Shqipëri. Familja ishte me origjinë nga qyteti i Durrësit, ndërsa në Angli kanë nisur hetimet për kushtet në të cilat mbahej Farruku në anijen hotel.
“Jeta e vëllait tonë Leonard Farruku përfundoi në mënyrë të paimagjinueshme për të gjithë ne ndërsa ishte në Mbretërinë e Bashkuar. Siç është raportuar gjerësisht në mediat në Mbretërinë e Bashkuar, Leonardi vdiq brenda maunes Bibby Stockholm ku Home Office po strehon njerëz. Një hetim është hapur për rrethanat e vdekjes së tij. Trupi i Leonardit ka qenë në morgun e Dorset që nga vdekja e tij. Ne kërkojmë me dashamirësi ndihmë për të mbledhur fonde që trupi i Leonardit të kthehet nga Britania e Madhe në atdhe në Shqipëri”, thuhet në llogari në Go Found me.
E vështirë është situata dhe për familjen e Lorenc Dedaj, i cili kishte emigruar drejt Gjermanisë për një jetë më të mirë, por që fatkeqësisht e humbi pas një sherri në dukje për motive banale.
“Per te gjith ata qe kan njohur Lorencin dhe familjen e Lorencit per te kontribuar sadopak me sa mundesi te ken per kthimin e trupit nga gjermania ne shqiperi mund ta bejn ne ket numer iban ju lutem te vini dhe emrin tuaj poshte ne menyre qe familja te dij nga kush esht ber ky kontribut.
Me perjashtim te gjith atyre qe kan bere nje kontribut direkt ktu ne gjermani dhe perfitojm nga rasti ti falenderojm perzemersisht. Kte gje e bejm Edhe per shum njerez qe na kan kontaktuar dhe nga italia dhe vende tjera te evropes dhe nuk e kan pas te mundur ta bejn nje gje te tille ky esht Iban qe esht hapur ne llogari te familjes te ndjerit Lorenci ju falenderojm pa perjashtim te gjithve. Marjan Dedaj IBAN IT41 0030 6967 6845 1033 2869 999”, shkruajnë familjarët e tij në llogarinë që kanë hapur ku kërkojnë ndihmë.
Edhe pse shqiptarët janë bërë bashkë, dhe shpesh kanë treguar aftësi për të mbledhur mijëra euro në ndihmë të njëri tjetrit, ajo që vret është heshtja e shtetit shqiptar. Që të paktën në rastin e Leonard Farrukut, do të ishte e udhës një reagim, sa kohë që në të njëjtat ujëra notojnë edhe qindra të rinj të tjerë, që presin fatin e tyre në ‘tokën e premtuat’ në Britaninë e Madhe.