Tre banka tregtare shqiptare po mbështesin me një kredi të përbashkët (sindikale) projektin e partneritetit publik-privat për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.
Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank kanë financuar që nga tetori 2023 e deri tani rreth 30 milionë euro me një kredi të përbashkët shoqërinë Dragobia Energy, në pronësi të Gener 2, subjekti kontraktor për ndërtimin e rrugës.
Dragobia Energy do t’i përdorë fondet e kredisë si borxh për aksionerin e vet, me qëllim financimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.
Rruga Thumanë-Kashar do të ketë gjatësi 21 kilometra dhe pritet të hapet për qarkullim në qershor të këtij viti. Rruga do të lidhë aksin Thumanë-Milot me autostradën Tiranë-Durrës dhe do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve në drejtim të veriut të vendit.
Sipas deklaratave të Ministres së Infrastukturës, gjatë një inspektimi në muajin janar të këtij viti, deri atëherë ishin realizuar rreth 65% e punimeve të parashikuara në këtë rrugë.
Projekti nuk do të financohet nga buxheti i shtetit, por nga pagesat e kalimit në rrugë prej përdoruesve. Sipas planit të të ardhurave, koncesionari ka parashikuar të sigurojë rreth 1.3 miliardë euro gjatë 35 viteve të kohëzgjatjes së kontratës.
Në përgjithësi, projektet e mëdha të parneritetit-publik privat në infrastrukturën rrugore janë financuar nëpërmjet kredive të dhëna nga sektori bankar.
Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogara”.
Gjatësia e rrugës është afërsisht 15 kilometra dhe pritet t’i kushtojë buxhetit rreth 10 miliardë lekë, që do të paguhen përgjatë 13 viteve.
Projekti më i rëndësishëm me financim publik i PPP-ve në ndërtimin e rrugëve është ai Rrugës së Arbrit, për një vlerë totale prej afërsisht 40 miliardë lekësh. Ky projekt është mbështetur me një kredi të konsiderueshme nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).
Në gusht të vitit 2018, BKT miratoi një hua deri në vlerën e 9.5 miliardë lekëve te kompania “Gjoka 87”, kompania që po zbaton projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit përmes një kontrate PPP-je me qeverinë shqiptare.
Kjo është kredia më e madhe e miratuar ndonjëherë nga një bankë tregtare në Shqipëri, megjithëse në fakt ajo nuk është disbursuar deri në vlerën maksimale të parashikuar.
Në vitin 2017, BKT gjithashtu ka miratuar gjithashtu një kredi prej 28.5 milionë euro te “Albania Highway Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.
Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë.
Pavarësisht nga kjo, sektori bankar ka ofruar tashmë përsipër financime të konsiderueshme në projektet e PPP-ve në infrastrukturë.
Në të gjitha rastet e mësipërme, garancitë kryesore e dhënë nga huamarrësit janë vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri, pasuri të paluajtshme të huamarrësit, dorëzania e aksionerëve, etj.
Kreditë sindikale përdoren nga bankat si një instrument për të ndarë rrezikun dhe për të financuar projekte të mëdha që, përndryshe, një bankë e vetme lokale nuk do të mund t’i financonte./E.Shehu