Tre hapat që duhet të ndërmarrin urgjentisht liderët e BE përpara zgjerimit të ri

Nga Nick Witney “European Council on Foreign Relations”

Në samitin e tyre të fundvitit, krerët e BE-së e angazhuan bllokun për një fazë të re të guximshme të zgjerimit. Ata vendosën të hapin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë dhe ta njohin Gjeorgjinë si kandidate potenciale.

Në deklaratën përfundimtare u përmend emri i Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Tetë vendeve fqinje në lindje dhe jug të unionit po u ofrohet hyrja me kusht në Bashkimin Evropian. Ky rezultat ishte një surprizë, pasi lideri i Hungarisë Victor Orban, pritej të vendoste veton kundër fillimit të negociatave me Ukrainën.

Në vend të kësaj, ai zgjodhi të bllokojë ndihmën financiare prej 50 miliardë eurosh për Kievin. 26 udhëheqësit e tjerë duken të sigurt se mund të gjejnë një zgjidhje kompromisi për ta miratuan paketën e ndihmës në një samit urgjent që do të mbahet më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.

Por për momentin, BE-ja ka mbetur në situatën kur e dëshiron këtë përfundim, por i mungojnë mjetet e duhura për ta arritur atë. Dhe Orban e ka bërë të qartë se pengimi i programit të zgjerimit do të vazhdojë. Ai është dukshëm i sigurt si në efektivitetin e vetos së tij, po ashtu edhe në forcën e pozicionit të tij politik, që pa dyshim është forcuar nga sukseset që po arrijnë së fundmi nga nacionalistët e krahut të djathtë në të gjithë Evropën.

Në këto kushte lind pyetja: A mos BE po ecën tej fuqive të veta? A do të jetë në gjendje të zbatojë politikën e re ambicioze, apo edhe të ruajë mbështetjen politike për të? Entuziazmi i ripërtërirë i Brukselit për zgjerimin është në fund të fundit një zhvillim i kohëve të fundit, me rrënjë ende të cekëta.

Sepse nëse ktheni kokën, do të kujtoni se pak shtete anëtare ishin entuziaste për të mirëpritur vendet e perceptuara si të korruptuara, jodemokratike, jo-liberale dhe në konflikte në shkallë të ndryshme (në rastin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë me trupat ruse në territoret e tyre).

Nga ana tjetër kostot përbënin një shqetësim madhor, duke pasur parasysh ecurinë e dobët të ekonomive evropiane që nga kriza financiare e vitit 2008, dhe më pas ndikimin e pandemisë së Covid-19. Për më tepër, sulmet ndaj shtetit të së drejtës nga qeveritë populiste në Poloni dhe Hungari, kishin nxjerrë në pah paaftësinë e Bashkimit Evropian për të disiplinuar anëtarët e bllokut.

Pasi hyjnë në union dhe gëzojnë përfitimet e tij ekonomike, ata zgjedhin të heqin dorë nga detyrimet e tyre që burojnë nga traktatet e BE-së në lidhje me çështje të tilla si liria e medias dhe pavarësia e gjyqësorit.

Lajme të tjera |  Arrestimi i Veliajt! Rama në Grupin e PS: Nuk jemi hunj gardhi, duart tona janë larg drejtësisë

Kohët e fundit, në majin e vitit 2022, presidenti i Francës Emmanuel Macron po promovonte projektin e tij, Komunitetin Politik Evropian, si një mjet alternativ të mundshëm për të njohur ambiciet evropiane të vendeve aspirante, pa krijuar kosto, rreziqe politike dhe sigurie, si dhe rrezik për vetë aftësinë e BE-së për të funksionuar, që rrjedh si pasojë e zgjerimit.

Sigurisht, ai që ndryshoi gjithçka ishte pushtimi rus i Ukrainës. Këtu duhet përfshirë habia dhe kënaqësia e evropianëve si për rezistencën heroike të Ukrainës, po ashtu edhe për përgjigjen e tyre të unifikuar dhe bujare. Në këto kushte u duk sikur Vladimir Putin, kishte bërë një llogaritje shumë të gabuar; dhe se veprimi i vendosur i Evropës mund të shpëtonte jo vetëm Ukrainën, por edhe vende të tjera fqinje të kërcënuara prej bosit të Kremlinit.

Pra, nxitimi për zgjerimin e ri u bë befas një imperativ gjeopolitik i gjithë-pranuar: “një investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik”. Sa i përket taktikave të shantazhit me veto të Orbanit, ato mund të pengohen në një BE të zgjeruar përmes reformimit të rregullave të saj të funksionimit, si për shembull duke zëvendësuar unanimitetin me votimin e shumicës se thjeshtë.

Por a është e qëndrueshme kjo hapje e guximshme? Zgjerimi i fundit i madh i BE-së ndodhi në vitin 2004, në një botë tjetër. Pra në një botë të paqes, të një Evrope që besonte tek fuqia e vet dhe të standardeve të jetesës në rritje. Asnjë nga këto kushte nuk ekziston sot, dhe nuk duket të ketë gjasa të kthehet në të ardhmen e parashikueshme.

Për më tepër pasiguria dhe pakënaqësia e qytetarëve po reflektohen në ngritjen në votime të nacionalistëve populistë në të gjithë kontinentin (me Poloninë si përjashtimin e vetëm kohët e fundit). “Elitat liberale” po sulmohen vazhdimisht për neglizhencën e tyre ndaj interesave dhe shqetësimeve të popullatës së tyre.

Propaganda brenda vendit e Orban kundër BE-së bazohet tek temat kryesore – emigracioni, të drejtat e homoseksualëve, kostot e mbështetjes së Ukrainës – dhe po gjen një mbështetje gjithnjë e më të fortë në të gjithë kontinentin.

Ndërkohë BE-ja është angazhuar për një kurs – që kushton rreth 250 miliardë euro, në një kohë kur i duhet të gjejë shuma të mëdha prash për tranzicionin e gjelbër dhe mbrojtjen – që do t’i kthejë në kontribuues neto vendet anëtare që kanë përfituar deri më tani nga buxheti i BE-së.

Lajme të tjera |  KLGJ reagon ndaj deklaratave të kryeministrit Rama: Kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë dhe sundimit të ligjit!

Nga Gjermania tek Franca, nga Spanja, Holanda dhe deri në Skandinavi, ky plan do të vihet lehtë në shënjestër nga politikanët e krahut të djathtë. Një shqetësim tjetër për fermerët në BE është ndikimi i pranimit të Ukrainës në union.

Suksesi i republikanëve të Trump në mbajtjen peng të axhendave të tyre nacionaliste të ndihmës së mëtejshme të SHBA-së për Ukrainën, do t’i inkurajojë akoma më tej. Natyrisht,  ajo nuk do të jetë aspak e njëjtë në krahasim me ndikimin politik në rast se evropianët shohin rikthimin e Trump në krye të SHBA-së vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Si do të duket dhe do të përjetohet politika e re e guximshme e Evropës mbi zgjerimin, nëse pas një viti, përgjegjësia e plotë për Ukrainën do të bjerë mbi Evropës, së bashku me përgjegjësinë për mbrojtjen e saj? (Për shembull, në qarqet Trumpiane po diskutohet që tani sa i përket qasjes së re ndaj “barrës” në raport me NATO-n). Zhvendosja në shtetet anëtare nuk bën që qeveritë e tyre të heqin dorë nga nderimi i tyre.

Pra BE-ja ka nisur një lojë të madhe nga e cila mund të dalë shumë keq, sidomos nëse në Shtëpinë e Bardhë rikthehet Donald Trump. Në këto rrethana, nuk do të mjaftojë vetëm shpresa për më të mirën: tani Brukseli duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të trajtuar dobësitë e tij të brendshme dhe të përgatitet për kohë më të vështira në të ardhmen.

Më urgjente nga të gjitha: BE duhet të ndalojë së kënaquri njeriun e Vladimir Putinit në Këshillin Evropian. Ka ardhur koha që të pezullohet e drejta e votës për Hungarinë sipas sanksionit të Nenit 7, që ka të bëjë me shpërfilljen e vazhdueshme të vlerave të BE-së.

Më pas, duhet të nisin negociatat serioze se cilat reforma do të nevojiten për një BE me më shumë se 30 anëtarë, sa i përket mënyrës së funksionimit të bllokut.

Dhe së fundi, shtetet anëtare duhet të bëjnë një planifikim emergjence mbi atë që ndodh nëse Donald Trump tërheq për shembull të gjitha forcat tokësore të SHBA nga Evropa. Askush nuk do të dëshirojë që të merret me çështje të tilla. Por megjithëse mund të jetë i kënaqshëm angazhimi ndaj një plani zgjerimi të guximshëm dhe shumë bujar, dështimi për t’i njohur dhe përballur me rreziqet që lindin, mund të sjellë humbjen e fqinjësisë, madje edhe të një Evrope liberale internacionaliste.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us