TIRANË – Profesori i arteve marciale Ilia Drini ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme në ambientet e Gjykatës Penale të Tiranës. Ai kishte shkuar të interesohej për datën e gjyqit ndaj tij, pasi ndaj Drinit ishte ngritur akuza për shkaktim të vetëvrasjes ndaj ish-bashkëjetueses.
Avokati i Ilia Drinit, Ndue Pjetri tha në emisionin “Me zemër të hapur” se 68-vjeçari kishte një hall të madh që kishte shkuar në gjykatë. Ai ka kërkuar nga Prokuroria, që të zbardhë komunikimet e fundit, që ka pasur i ndjeri. Avokati theksoi se gjatë komunikimeve që ka pasur me të ndjerin më 11 janar, e kishte pyetur se çfarë problemi kishte. Ilia Drini i ishte përgjigjur se do ia thoshte kur të takoheshin fizikisht. “Po kërkonte me çdo kusht të shkonte tek gjykata sot, kishte diçka që donte të shkonte në gjykatë”, deklaroi avokati Ndue Pjetra.
Ndue Pjetra shprehet se nuk kishte asnjë provë, që vërtetonte se Drini ka qenë personi që ka shtyrë ish-bashkëjetuesen drejt vetëvrasjes. Sipas avokatit, ish-bashkëjetuesja e klientit të tij ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe kishte tentuar të vrasë veten, duke pirë medikamente. Sipas Pjetrës, ish-bashkëjetuesja ishte motivuar nga familjarët e saj që ta padiste Ilir Drinin, sepse donin me çdo kusht që ajo të martohej me 68-vjeçarin. Avokati deklaroi se përpara dy muajsh, Ilia Drini i kishte thënë: “Duan të më martojnë, të më marrin pasurinë”.
“Ajo vuante nga një sëmundje mendore, merrte mjekim tek 5-sa. Kishte probleme shëndetësore dhe e bënin të pamundur vazhdimin e bashkëjetesës me klientit tim. Çuditërisht familjarët e vajzës pretendonin dhe mundoheshin me çdo kusht ta martonin, që të bëhej një celebrim. Ai nuk pranonte celebrimin, i kërkova organeve të hetuesisë që të shikonin komunikimet e fundit të klientit tim për faktin se ai kishte një hall të madh që vinte, pasi e dinte që data e gjyqit ishte me 1 shkurt.
Por kërkonte me çdo kusht të shkonte tek gjykata sot, kishte diçka që donte të shkonte në gjykatë. Në gjykatat tona nëse diçka s’bëhet shembull, nuk marrim masa. Ai ishte në ambientet e Gjykatës Penale të Tiranës. Sapo ka hyrë aty ka pyetur për datën e gjyqit që ta kishte të fiksuar. Sekretarja i ka thënë që nuk e ke sot datën e gjyqit. Klienti është shokuar në atë moment sepse do ta ketë pasur një problem, ka pasur një hall që e ka detyruar të shkonte në gjykatë.
I thashë në bisedën e fundit mbrëmë në telefon, që çfarë problemi ke. Më tha do të ta tregoj kur të takohemi fizikisht. Punonjësit e gjykatës thanë se ai është ulur në karrige dhe në atë moment është rrëzuar në tokë, kaq. Ambulanca erdhi shpejt, por ishte e shkruar që të vdiste në gjykatën e Tiranës. Ka vdekur menjëherë pasi ka folur me punonjësit e gjykatës, sapo i kanë thënë që nuk e ke datën sot, është ulur në karrige dhe ka vdekur.
Ka rënë poshtë akuza për përndjekje, por ai shkonte e vizitonte për shkak të gjendjes së saj. Ai nuk donte ta ekspozonte situatën e saj, mundohej ta duronte. Këmbëngulnin familjarët e saj të bënin atë veprim. Akuza ndaj tij ishte shkaktim vetëvrasje, ajo pinte ilaçe. Çifti kishte mbi 5-6 vite që bashkëjetonte në Tiranë.
Në gusht 2020 nuk kanë bashkëjetuar, që në momentin kur ajo e denoncoi. Prokuroria e Tiranës të nisë hetimet, kishte hall që donte të më takonte. Ai jetonte i vetëm pas ndarjes nga bashkëjetuesja.
Seanca paraprake do të mbahej më 1 shkurt. Ajo ka dashur të vrasë veten, ka pirë ilaçe, klienti im pasi i ka dhënë ndihmën e parë, e ka marrë dhe e ka dërguar në spital duke i shpëtuar jetën. Kryente veprime jo normale nga sëmundja që kishte. Por kishte familjen mbi kokë që e detyronte të ndërmerrte këto veprime. I ndjeri më thoshte për vëllezërit e saj, që ata e detyronin. Dosja ka 3 vite që qëndron në sirtar. Dy muaj më parë erdhi dhe më tha që duan të më martojnë, të marrin pasurinë”-tha avokati Pjetra.
Vdekja e 68-vjeçarit, gjykata: I ndjeri në seancën e fundit u paraqit pa avokat
Gjykata e Tiranës ka reaguar në lidhje me vdekjen e 68-vjeçarit Ilia Drini në ambientet e gjykatës. Sipas reagimit të togave të zeza, Drini në seancën e fundit ka qenë vetëm në seancë, pasi avokati e ka pasur të pamundur të jetë prezent.
“Çështja me nr.35 akti, me të pandehur shtetasin I.D., është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në datën 28.10.2021 dhe shortuar pranë gjyqtarit Lazër Sallaku, i cili e ka vazhduar gjykimin e çështjes derisa KPK mori vendim për pezullimin e tij nga detyra. Pas rishortimit çështja kaloi tek gjyqtar Albert Meça, pranë të cilit vazhdon proçesi gjyqësor. Ju sqaroj se seanca e fundit është zhvilluar në praninë e Gjyqtarit, të Prokurorit dhe vetë të të pandehurit, i cili nuk ka qenë i shoqëruar me avokatin e tij. I pandehuri, në seancën e zhvilluar ka kërkuar para gjykatës shtyrjen e seancës për të pasur prezent avokatin e zgjedhur prej tij, pasi avokati e ka pasur të pamundur të paraqitet. Gjykata, ka miratuar kërkesën e bërë nga i pandehuri, pikërisht për ti dhënë mundësinë të pandehurit të mbrohet me avokatin e kërkuar prej tij dhe ka shtyrë seancën në datën 01.02.2024”, njofton gjykata.
68-vjeçari Ilia Drini ndërroi jetë gjatë ditës së sotme në ambientet e Gjykatës së Tiranës. Ai kishte shkuar të pyesë për datën e seancës së radhës në lidhje me gjyqin e tij, pasi ishte akuzuar për shkaktim të vetëvrasjes në dëm të bashkëjetueses.