Vilat qeveritare do të përdoren edhe për turistët. Por si? Korporata e Investimeve Shqiptare i ka hapur rrugë ndërtimit të hoteleve me 5 yje brenda godinave dhe territorit të rezidencave qeveritare te zona e Ujit të Ftohtë, në Vlorë dhe në Velipojë. Godinat në të dy qytetet do të shndërrohen në zona “ekskluzive” private që do të jenë në funksion të turistëve. Ndërsa vetëm disa suita do t’u lihen për përdorim edhe qeveritarëve.
PROJEKT VELIPOJA
Ndaj për ndryshimin e saj është hapur një konkurs për të zgjedhur fituesin që do të zhvillohet në 2 faza, ku në fokus do të jetë projekt-ideja. Në fund të fazës së tyre do të zgjidhen 3 koncept-idetë më të vlerësuara. Në bazë të ofertave do të përzgjidhet edhe kompania që do të ketë në duar më pas në total 8100 metra katrorë tokë.
Të dhënat e pasurisë janë: Rezidenca Qeveritare “Vila Velipojë”, Shkodër, Zona Kadastrale nr. 3072, lloji i pasurisë “Ndërtesë + Truall”, numër pasurie: 5, Sipërfaqja e gjurmës së ndërtesës 1200 m2+ Sipërfaqja e truallit 8100 m2.
Por çfarë përfiton shteti dhe çfarë privati?
Institucioni përfiton hapësira të reja që janë më funksionale, madje në kushtet e një hoteli me 5 yje, ku do të mund të pushojnë EDHE qeveritarët. Ndërsa ‘privati’ përfiton pronësi mbi objektet. Pra me rijetëzimin e strukturave, godinat do të administrohen nga Ministria përgjegjëse për Turizmin dhe kompania fituese.
PROJEKT UJI I FTOHTË
E njëjta skemë pritet që të funksojnë edhe për rezidencat qeveritare në Vlorë. Edhe ato, njëjtë si në Velipojë u krijuan për të pritur personalitete të vendit, por edhe për të organizuar ngjarje me rëndësi për vendin.
“Të vendosura në një nga zonat më të bukura në hyrje të Rivierës Shqiptare, ato ofrojnë peizazhe të veçanta dhe mbresëlënëse, si dhe afërsi me pikën ku ndahen Adriatiku dhe Joni. Historikisht, këto rezidenca kanë shërbyer si hapësira për pushime dhe takime zyrtare për udhëheqës politikë dhe delegacione diplomatike. Megjithëse janë ende funksionale, ato janë të amortizuara dhe kërkojnë mirëmbajtje të konsiderueshme për të përmbushur standardet moderne.”
Por ndryshe nga Velipoja në këtë zonë ka tre projekte.
Pronat ku do të zhvillohet ky projekt janë:
-Rezidenca Qeveritare “Vila nr. 2” Vlorë, Zona Kadastrale nr. 8602, lloji i pasurisë “Ndërtesë”, numër pasurie: 43/291/ND, Sipërfaqja ndërtesës 1,126 m2;
-Rezidenca Qeveritare “Vila nr.6” Vlorë, Zona Kadastrale nr. 8602, lloji i pasurisë “Ndërtesë”, numër pasurie: 43/293/ND, Sipërfaqja ndërtesës 332.48 m2;
-Rezidenca Qeveritare “Vila nr.9”, Vlorë Zona Kadastrale nr. 8602, lloji i pasurisë “Ndërtesë”, numër pasurie 43/292/ND, Sipërfaqja ndërtesës 186.18 m2;
Në total, sipërfaqja e konkursit është 1.644.7 m2. Tashmë procedurat konkurruese për të dyja projektet janë hapur dhe priten aplikimet e kompanive të interesuara. Afati i fundit është 28 shkurti dhe më pas, do të nisë vlerësimi për të zgjedhur fituesin.