Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin e deputetit Plarent Ndrecës, pas refuzimit që bëri Dallëndyshe Bici për të hyrë në Kuvend, dhe për të marrë vendin e lënë bosh nga Arben Ahmetaj.
Ilirjan Celibashi u shpreh se do të njoftohet kandidati i radhës, Plarent Ndreca, dhe nëse merr një përgjigje brenda ditës së sotme, mbledhja e radhës në KQZ do të zhvillohet të hënën, për ti dhënë atij zyrtarisht mandatin e deputetit.
“Vendosim për të shpallur moszgjedhshmërinë të deputetit të Kuvendit të Republikës Shqipërisë, Dallëndyshe Bici, do të bëj njoftimin po sot për kandidatin e radhës, për zotin Ndreca dhe nëse marrin përgjigje brenda ditës së sotme ose brenda kësaj jave, ditën e hënë do të lëmë mbledhjen e radhës”, tha Celibashi.
Ndreca ishte në listën e Tiranës, dhe pranoi mandatin e ndërprerë në gjysëm të Ahmetajt, për shkak se prej 6 muajsh nuk paraqitet në Kuvend.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej Korrikut të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve. Edhe pse në nivelet më të larta drejtuese dhe në qeveri, Ahmetaj tashmë është shndërruar në një prej njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Karriera politike dhe postet drejtuese në administratë për Arben Ahmetajn kanë nisur që në vitin 1997, kur ai u emërua në postin e drejtorit të Tatimeve. Më pas ai do të shërbente për herë të parë si deputet në zgjedhjet parlamentare në vitit 2009, ku u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës. Mandej në vitin 2013 ai do të zgjidhej deputet duke përfaqësuar qarkun e Gjirokastrës dhe më pas sërish Tiranës.
Pas 8 viteve në opozitë, ai u emërua ministër për Sipërmarrjen në vitin 2013 ndërsa në shkurt të 2016 ai zuri vendin e Shkëlqim Canit në krye të ministrisë së Financave. Përpara se të plaste skandali i inceneratorëve, ai mbante dy funksione në qeveri, atë të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.