“Viva l’Italia”, Berisha ndan tre “lajme të mira” me shqiptarët në Breshia

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar këtë të dielë një takim shqiptarët në Breshia të Italisë.

Vitin 2025 e cilësoi, atë të diasporës shqiptare e cila për herë të parë do ketë mundësinë të shprehë vullnetin politik përmes votës më 11 Maj.

“Ju falënderoj për këtë pritje madhështore, ju falënderoj për frymën e fitores që krijuat, ju shqiptarët e diasporës në këtë fushatë historike. Nderimet më të mëdha për të gjithë ju që shndërruat vitin 2025, në vitin tuaj, në vitin e Diasporës shqiptare. Në vitin e fitores shqiptare mbi diktaturën, krimit dhe vjedhjes së tyre, në vitin e shpëtimit të Shqipërisë. Miq, stacioni i parë që nisa pas startit epik të fushatës elektorale dy ditë më parë në Tiranë, jeni ju, është Breshia, sepse kjo fushatë që kemi nisur është një fushatë madhështore, është shpresëdhënëse, falë jush, falë diasporës shqiptare, ndaj jam sot shumë i frymëzuar, shumë i nderuar të ndodhem midis jush. Sepse vetë historia juaj është burim frymëzimi. Ju jeni shqiptarët e sakrificave të mëdha, takimi me ju është takimi me sakrificën më fisnike të njeriut. Ndaj dhe një falënderim i madh shkon për miqtë tuaj italianë, për kombin italian, Viva Italia”, tha Berisha në nisje të fjalimit të tij.

Në takimin e tij me shqiptarët në Breshia të Italisë, Berisha veçoi 3 momente që për të përbëjnë lajme të mira, përgjatë javës që lamë pas.

“3 lajme shumë të mira nga kjo javë. Miqtë e mi, fasada ra! Së pari, dua t’ju them se të Hënën që kaloi u prita në Asamblenë Kombëtare të Këshillit të Europës, tempullit të madh të demokracisë, në dy dëgjesa. Pata një seri takimesh të veçanta, përfshirë këtu kryetarin e Asamblesë, në të cilat isha zëri i shqiptarëve. Paraqita narko-diktaturën e Edi Ramës, u thashë se për të marrë një mandat arrestojnë liderët e partive kryesore opozitare, licencojnë mbjelljen e kanabisit, aktivizon bandat e krimit të organizuar.

I informova se ne do fitojmë! Nuk ka banditë e banda që mund të mposhtë shqiptarët në diasporë! Më 11 Maj firmoset fundi i Edi Ramës, fundi i narko-diktaturës. Në Këshillin e Europës ia kishin anuluar datën sepse ishte sjellë në mënyrë të padenjë me shembullin e demokracisë. Darka iu anulua, sepse foli si narko-diktator. Por jo vetëm kaq, kishte marrë dhe banditë me vete, i marrë! Mendoi se do të trembte Europën me banditët e tij.

Të mërkurën në PE, komisionin më të rëndësishëm të tij, në një akt madhor të jashtëzakonshëm u zhvilluan dëgjesa për Shqipërinë, kushtuar totalisht zgjedhjeve të 11 Majit. Parlamentarët europianë njëri pas tjetrit denoncuan dhunimin e zgjedhjeve të lira nga Rama, dhunimin e opozitës, shkrirjen e pushtetit të tij me krimin. Europa i ka sytë te 11 Maji, te vota juaj! Hapja e fushatës elektorale, në fakt ajo çelje fantastike e madhështore”, tha Berisha.

Ai shtoi se emigrantët shqiptarë janë sot një pjesë jetike e ekonomisë italiane dhe një shembull krenarie për Shqipërinë. “Ju nuk e harruat kurrë vendin tuaj. Të jesh shqiptar do të thotë të mos dorëzohesh kurrë, të kesh një dashuri të pashuar për dheun tënd.”

Berisha mbylli fjalimin me një mesazh: “Zoti ju bekoftë ju dhe familjet e emigrantëve shqiptarë kudo që janë!”

Lajme të tjera |  Aksident me vdekje në Shkodër

Takimi në Breshia u përshkua nga entuziazëm dhe atmosferë pozitive, ndërsa Berisha vlerësoi këtë ndalesë si një moment të veçantë frymëzimi në rrugëtimin elektoral drejt një Shqipërie më të drejtë dhe më të lirë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us