Është vrarë me armë zjarri në një atentat në fshatin Pllanë të Lezhës, babai i Roan Brahimit, Gjovalin Prendi.
65-vjeçari është qëlluar me armë zjarri rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme nga persona ende të paidentifikuar, dhe raportohet se ka ndërruar jetë në vengjarje.
“Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. P. 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër. Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes“, njofton policia e Lezhës.
Roan Brahimi, emri i vërtetë i të cilit është Sidorel Prendi, ishte duke udhëtuar mbrëmjen e së enjtes, më 9 maj 2024, me një makinë luksoze Mercedes Benz A Class, nën shoqërinë e bashkëshortes së tij, Katerina Beqos, ku drejt tyre u qëllua me breshëri plumbash në qendër të Athinës.
Roan Brahimi është një emër i njohur për Policinë Shqiptare dhe dyshohet se është i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale që kanë prekur njerëzit e afërt të biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, i cili edhe vetë rezulton i zhdukur pa gjurmë.
Së pari, ai ka qenë i dyshuar për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Milotit ku mbeti i vdekur kushëriri i parë i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij. Policia e Shtetit e kërkoi për ta marrë në pyetje, por ai rezultoi se nuk ndodhej në Shqipëri.
Po ashtu, ky 32 vjeçar është kërkuar të pyetet dhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Milot pas kohë pas vrasjes së Brilant Martinaj.
Krahu i djathtë i Ervis Martinaj u qëllua me breshëri arme pranë shtëpisë dhe për pasojë mbeti i plagosur rëndë, kurse shoku i tij, Klisman Preçi ndërroi jetë.
Në të dy rastet, Roan Brahimi nuk u arrit të ndalohej dhe të pyetjet. Familja mohoi që ai të ishte i përfshirë në këto ngjarje sepse ndodhej jashtë shtetit.