Kandidati socialist për deputet në Qarkun e Tiranës, në listën e hapur, Fatmir Xhafaj e sheh në dy tablo fushatën e parlamentareve, nisur nga “lufta” brenda partive, për të siguruar votat e kandidatëve.
“Të them që s’ka tension do të ishte e gabuar”, tha Xhafaj. Ai këshilloi kandidatët e tjerë kur tha se “duhet të kujdesemi që i gjithë ky konkurrim të mos çojë në thyerje të kohezionit dhe etikës midis nesh”.
“PS është e fortë dhe e suksesshme sepse në të gjithë këto vite ka arritur të harmonizojë më mirë grupmoshat brenda saj të 4 gjeneratave. Dikur kishim 3 gjenerata, sot janë 4 për shkak të uljes së moshës së aktivizimit politik. PS i ka harmonizuar dhe unë besoj se sa kohë që do të vazhdojë ta bëjë mirë, do të jetë e fortë dhe e suksesshme në betejat e elektorale. Të them që nuk ka tension do të ishte e gabuar. Vetë gara ka brenda tensionin sepse është konkurrim, kjo është normale. Kjo është një eksperiencë e parë por besoj se do të duhet që në të ardhmen të ketë disa rregulla të qarta për konkurrimin e brendshëm sepse nëse këto tensione shkojnë në një pikë të lartë vlimi këto mund të kenë pasoja në të ardhmen për kohezionin e brendshëm të forcës politike. Duke e konsideruar një gjë shumë pozitive konkurrimin brenda nesh dhe marrëdhënien që krijohet me qytetarët në saj të këtij konkurrimi duke i konsideruar këto vlera të dobishme, duhet të kujdesemi që i gjithë ky konkurrim të mos çojë në thyerje të kohezionit dhe etikës të një gare konkurruese midis nesh.
Unë besoj se nëse do të kishte gjëra të tilla do të ishin jo shumë të dobishme. Ka edhe një gjë tjetër, i seleksionon edhe vetë familja politike, socialistët nuk i pëlqejnë tensionet e brendshme, nuk e kanë në natyrën e tyre konfliktin e brendshëm dhe nuk i pëlqejnë njerëzit konfliktuale që duan t’ju imponohen në bindjen e tyre dhe në votën e tyre. Kandidatët që do të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë nuk besoj se do të jenë të suksesshëm.”, tha ai.