“Sporti është ekonomi. Sporti është edukim. Sporti është shëndet”, u shpreh Fidel Ylli, kreu i KOKSH. Këto janë të vërteta të pakundërshtueshme. Po aq i pamohueshëm është edhe fakti tjetër se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për sportin.
“Sporti është imazhi më i mirë i Shqipërisë në botë.” Pikërisht për t’i dhënë një tjetër hov zhvillimit të sportit, vendi do të ketë së shpejti një “qytet 1 miliard dollarësh” në afërsi të Tiranës. “Ky është një qytet olimpik që do të ketë brenda disa stadiume: një stadium futbolli olimpik me pistë atletike dhe kapacitet prej 4.508 vendesh. Do të ketë gjithashtu një pallat sporti me 6 mijë vende, një stadium të mbyllur për atletikë, si dhe fusha e stadiume të mbyllura për të gjitha sportet olimpike.”
Parku i ri Olimpik i kryeqytetit do të ndërtohet pranë aeroportit të Rinasit, me financimin e Arabisë Saudite.
“Kjo është një iniciativë e diskutuar me qeverinë dhe kryeministrin. Kemi rënë dakord. I kam thënë se do të gjej një tokë që të mos rëndojë buxhetin e shtetit. Pjesa dërrmuese, 2/3, është tokë shtetërore. Parcelat e tjera do të kompensohen. Por gjithçka do të mbetet pas zgjedhjeve.”
Ndërtimi i kompleksit sportiv si një qytet më vete vijon të mbetet ëndrra e Komitetit Olimpik Kombëtar. Që nga dhjetori i vitit 2023, kur për herë të parë u prezantua kjo ide ambicioze, sot Komiteti Olimpik Shqiptar ka gati edhe projektin.