TIRANË– Nuredin Seci, sipas Partisë Demokratike është personi kyç që ka arritur të sigurojë 6 milionë dollar përmes fondacionit “Make Albania Great Again” për të firmosur një kontratë lobingu për Partinë Demokratike. Kontrata prej ‘ari’ që u publikua vetëm sot është nënshkruar mes Secit dhe kompanisë “Continental Strategy” e cila ka marrë përsipër lobingun. Por gjithashtu është nënshkruar edhe nga Flamur Noka në emër të Partisë Demokratike.
Por kush është Nuredin Seci?
Për shqiptarët mund të mos tingëllojë një emër i njohur, por ai ka lindur në Tropojë dhe është patriot i kryedemokratit Sali Berisha, që sot përmes tij kërkon të heqë non-gratan e vendosur nga ish-Sekretari Antony Blinken.
Ai ka lindur në fshatin Markaj, Tropojë më 15 shkurt 1953, shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa shkollën e mesme në Shkodër, në Shkollën e Mesme Profesionale Dega Elektrike.
Garantori i kontratës 6 milion dollarëshe është një shqiptaro-amerikan pasi sot jeton në New York, por është edhe i apasionuar pas alpinizmit.
Nuredin Seci është edhe anëtar i kryesisë së degës “Vatra Mëmëdheu” në Nju Xhersi të SHBA-ve, dega më e re e hapur në vitin 2025.
Në vitin 2022, ai ka qenë në vendlindje, Tropojë, ku dhe është ndëruar me titullin “qytetar nderi” i Bashkisë Tropojë për kontributin si Sportist e trajner në zhvillimin e alpinizmit. Titulli ju dha nga kryebashkiaku socialist Rexhë Byberi.

Seci është edhe koordinator i “Gazeta e Alpeve” në Nju Xhersi. Partia Demokratike pretendon se ky person pasi ka mbledhur paratë nga patriotët shqiptarë që jetojnë në SHBA ka kontraktuar kompaninë “Continental Strategy” që përfaqësohet nga avokati i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Carlos Trujillo për të për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA.