Prokuroria e Korçës ka zbardhur pas 7 vitesh vdekjen e Antonio Karafilit, i cili në vitin 2018 u raportua se kishte vrarë veten duke u varur në një pemë.
Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për ish-partneren e Karafilit, Kejsi Spahillari, e dyshuar për vrasjen e të riut.
Sipas Prokurorisë, nga provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari kanë mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen.
Motivi i krimit dyshohet të ketë qenë një lidhje paralele që Kejsi Spahillari kishte me viktimën dhe Rexhep Vathin.
Pas ngjarjes, Spahillari emigroi në Kanada, ndërsa në gusht të vitit 2024, Rexhep Vathivrau veten.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, në një videotë publikuar në facebook, e ëma e Kejsi Spahillarit mohon përfshirjen e vajzës në krim.
Mes lotësh, ajo shprehet se e gjithë çështja është e sajuar dhe se vajza po merret nën akuzë pa prova konkrete.
Sa i përket gjurmëve biologjike në çarçaf, ajo pohon se e bija ndodhej në vendngjarje pas vetëvrasjes dhe kishte ndihmuar në uljen e trupit nga pema, së bashku me persona të tjerë.
“Asgjë nuk është e vërtetë. Çdo gjë është sajesë, është e stisur. Nuk e njoh fare personin në fjalë, e dëgjoj për herë të parë. Jam e shokuar. Si ka mundësi që në kaq vite nuk u gjet asgjë, dhe tani shpiket kjo histori pa asnjë fakt konkret? Nuk e kuptoj si çdo akuzë merret si e mirëqenë. Vajza më ka thënë që nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje,” deklaron e ëma.