Një përplasje në distancë ka ndodhur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut politik të Partisë Demokratike të Elbasanit, Tomos Alizot. Ky i fundit në takimin elektoral në Librazhd iu drejtua kundërshtarëve, duke i paralajmëruar që të mos preknin votën, pasi PD kishte mundur baballarët e tyre që kishin tanke dhe ushtri, e jo më socialistët e sotëm. Madje u shpreh se ‘PD do e hajë të gjallë qeverinë’.
Tomor Alizoti: Më vjen mirë që Librazhdi dhe Prrenjasi është në shesh dhe ka vrarë frikën. Çdo e vërtetë ka nevojë për guximtarë dhe PD është partia e guximtarëve. Një mesazh për ju që jeni cepave dhe u shkoni njerëzve nëpër shpia për t’ju marrë votat. Mos harroni që ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri! Juve do t’ju hamë të gjallë! Mos guxoni t’ju shkoni njerëzve natën në shtëpi, mos guxoni t’i prekni dhe kërcënoni, sepse liria e njerëzve është e shenjtë
Deklaratës së tij kreu i qeverisë iu përgjigj nga një takim në Kuçovë, ku tha se personazhet politikë të PD-së janë njëri më i mbaruar se tjetri, madje e cilësoi Alizotin ‘çyryk’. Sipas tij, ata do të marrin një mësim të mirë nga populli më 12 maj.
Edi Rama: Ludoviku thoshte “do iu hamë të gjallë”. Kështu Ludovik i them Tomor Alizotit, për shkak të një personazhi në një film. Ky është çyryk, nuk është normal. Ishte një tjetër thoshte se nën këtë qeveri të poshtër, kanë ikur 1 milion lekë, por gaboi, se donte të thoshte 1 milion njerëz. Ata janë njësha, njëri më i lodhur se tjetri, njëri më i mbaruar se tjetri, çohen që në pikë të mëngjesit, pinë ujë kënete dhe e spërkasin. Natën thonë se populli është i sëmurë, edhe pse sondazhet thonë se PS fiton
Reagimi nuk mungoi nga demokrati, i cili me një postim në rrjete sociale u shpreh se do t’i përgjigjet kreut të PS-së me gjuhën që ai njeh më mirë, vulgaritetin. Alizoti shkruan se, kur pa reagimin e Ramës, iu kujtua Niçe kur fliste për dallimin mes njeriut dhe shtazës.
Tomor Alizoti: Kur dëgjova reagimin tënd, më erdhi ndër mend çfarë thotë Niçe për njerëz si ty. Ai ka një krahasim të mrekullueshëm kur tregon ndryshimin mes shtazës dhe njeriut. Kur e lexon në gjermanisht, tingëllon shumë bukur. Por më pas mendova se është shpenzim shumë i madh kohe t’i shpjegosh dikujt, që kulmin e imagjinatës e ka të lidhur me figura që flasin në ekrane, se çfarë është shkëputja e njeriut nga shtaza. Prandaj, po të përgjigjem me atë çfarë ti kupton më mirë: vulgaritetin. Ti, Edvin Kristaq Rama, do mbetesh një delenxhi, sepse i tillë ke lindur. Ti je pasardhës i gjysmëopingës, dhe do mbetesh përgjithmonë i tillë. Ky është guri yt, që s’e blen dot as me milionat që i vjedh popullit më të varfër në Evropë, as me shishet e verës 35 mijë euro me të cilat të qerasin shokët e tu ordinerë netëve kur t’i firmos vjedhjet. As me krekosjen mes idiotëve të tu të dobishëm. Ti ke qenë, je dhe do mbetesh gjysmëopingë. Para meje, ti je soj delenxhiu si dje, si sot, si përgjithmonë.