Kontrata e lobingut të PD, Seci ‘thyen’ heshtjen: Qëllimi im i vetëm, të forcoj lidhjet mes dy vendeve

Nuredin Seci, personi që ka mundësuar lidhjen e një kontrate lobimi mes Partisë Demokratike dhe kompanisë amerikane “Continental Strategy”, ka thyer heshtjen. Seci, themeluesi i Fondacionit Shqiptaro Amerikan shprehet në një mesazh dërguar për gazetarin Blendi Fevziu se Si një biznesmen shqiptaro-amerikan me dashuri të thellë për Shqipërinë dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka vendosur të ofrojë mbështetjen financiare për opozitën shqiptare, me bindjen e palëkundur se përfaqësimi dinjitoz dhe profesional në kryeqytetin amerikan është thelbësor për avancimin e interesave për një Shqipëri demokratike dhe të lirë.

Seci shton se ka marrë goxha mbështetje nga anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, por gjithashtu se nuk është i befasuar nga sulmet e pabazuara dhe përhapja e dezinformatave nga individë dhe grupe që kundërshtojnë Presidentin Trump dhe nuk përkrahin një Shqipëri të vërtetë demokratike.

Mesazhi i plotë, drejtuar gazetarit Blendi Fevziu:

Pershendetje z. Fevziu. Duke dëgjuar panelin tuaj sonte dhe ne vijim te spekulimeve e fake neës pafund te prodhuara ne Shqiperi kete jave, dua te ndaj me ju live ne emision po mundet, nje qendrim timin per ceshtjen e shume diskutuar te lobimit te PD ne USA.

Si një biznesmen shqiptaro-amerikan me dashuri të thellë për Shqipërinë dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam qenë dhe mbetem i përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Për këtë arsye vendosa të ofroj mbështetjen time financiare për opozitën shqiptare, me bindjen e palëkundur se përfaqësimi dinjitoz dhe profesional në kryeqytetin amerikan është thelbësor për avancimin e interesave për një Shqipëri demokratike dhe të lirë.

Mbështetja që kam filluar të marr nga anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan është një dëshmi inkurajuese e ndjenjës sonë të përbashkët për ruajtjen e kësaj lidhjeje të veçantë mes dy vendeve tona. Nga ana tjetër, nuk jam i befasuar nga sulmet e pabazuara dhe përhapja e dezinformatave nga individë dhe grupe që kundërshtojnë Presidentin Trump, kundërshtojnë një Amerikë të fortë dhe nuk përkrahin një Shqipëri të vërtetë demokratike.

Qëllimi im ka qenë dhe mbetet i qartë: të mbështes angazhimin e profesionistëve më të kualifikuar në fushën e marrëdhënieve me qeverinë amerikane, ata që e kuptojnë realisht thellësinë e lidhjes historike mes dy vendeve tona, që njohin mundësitë që lindin nga udhëheqja e fortë e Presidentit Trump, dhe që janë të gatshëm të avokojnë me integritet për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Si një person privat, kam vendosur të mos bëj më deklarata të tjera publike, ashtu siç nuk kam bërë kurrë asnjë deklaratë për fondacionin tjetër që drejtoj, përmes të cilit ndihmojmë të paktën 44 familje me fëmijë të spektrit autik, në veri dhe jug të Shqipërisë, përkatësisht në Tropojë dhe Tepelenë, dy nga zonat më të varfra të atdheut tim.

Theksoj sërish dhe dua të siguroj këdo që e lexon këtë qëndrim timin, se përkushtimi im për të mbështetur Amerikën dhe Shqipërinë do të vazhdojë pa ndërprerje, sa herë që të kem mundësi të jap kontribut për këto dy vende.

Zoti e bekoftë Amerikën, Shqipërinë dhe miqësinë e dy vendeve tona!

Uroj qe ta publikoni mesazhin tim.

Me konsiderate,

Nuredin Seci

New Jersey

Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane “Continental Strategy”. Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës

Lajme të tjera |  Tragjike në Itali/ Vdes 14-vjeçarja shqiptare, mediat italiane japin detaje

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us