Gjatë kësaj fushate për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama kërkoi ndjesë për shkak të përdorimit të termit “autik politik”. Këtë term e përdori për të gjithë personat që do të zgjedhin të votojnë për opozitën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në fjalën e tij, gjatë një interviste për emisionin “Off the Record”, kryeministri Edi Rama shpjegoi se pse e përdori atë term, duke kërkuar edhe njëherë falje për atë që kishte thënë.
“Satirat dhe karikaturat nuk hynë në bullizim. Ato kanë status të veçantë në botën e sotme, sepse demokracia dhe liria e shprehjes, satirën dhe karikaturën, i konsideron si forma të larta shprehjeje… Ju futët aty edhe fjalën autik. Unë e kam përdorur krejt ndryshe nga sa u manipulua, sepse kam folur për autizëm politik. Dhe nëse do t’i referoheni literaturës, këtë terminologji do ta gjeni në literaturën akademike dhe politike, të përdorur shumë shpesh. Këtë shpjegim bëra dhe unë, që ajo diku flinte në kokën time dhe doli në atë moment. Por përballë lëndimit të qoftë edhe një nëne të vetme të një fëmije autik, unë u ndjeva fajtor dhe kërkova ndjesë për të gjithë ata prindër të fëmijëve autik, që përpos të tjerave, sepse unë, – për shkak të detyrës kam mësuar edhe për autizmin, janë fëmijë të jashtëzakonshëm – ndërkohë që shpreha të gjithë neverinë time për ata që e përdorën këtë shprehje për ta futur në këtë kategorizimin e përgjithshëm,”-sqaroi edhe njëherë Rama.