Edhe pse mungojnë të dhënat zyrtare, mbrëmja e sotme mund të vendosë një rekord për futbollin italian.Ndeshja mes Interit dhe Barcelonës do të bëhet e para që arkëton kaq shumë miliona euro të ardhura nga tifozët dhe bëhet fjalë për afro 13 milionë. Sigurisht që gjithçka do të zyrtarizohet pas përfundimit të ndeshjes, kur të mësohet numri i tifozëve të pranishëm në stadium. Megjithatë, gjasat janë që të jetë i gjithë stadiumi i mbushur dhe të mos ketë vende bosh. Pavarësisht faktit që biletat kishin edhe një çmim disi të lartë, tifozët nuk janë tërhequr mbrapa dhe kanë blerë biletat për të qenë prezent në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni.
TOP 5- Por cilat janë ndeshjet e tjera që kanë arkëtuar më shumë të ardhura për një klub në futbollin italian? Për momentin, në vendin e parë qëndron gjysmëfinalja e vitit 2023 mes Interit dhe Milanit, që solli në arkat e klubit zikaltër 12.5 milionë euro dhe prezentë ishin 75.567 ndjekës. Në vendin e dytë është gjysmëfinalja e mëparshme mes Milanit dhe Interit 0-2, që solli për kuqezinjtë 10.4 milionë euro.
Në vendin e tretë është ndeshja mes Interit dhe Bajernit, e luajtur në këtë sezon me 10 milionë euro, ndërsa në vendin e katërt është Inter-Atletiko Madrid me 9.2 milionë euro. Sigurisht që këto të ardhura nuk shkojnë të gjitha për skuadrat e Interit apo të Milanit, sepse stadiumi “San Siro” është në pronësi të bashkisë. Për këtë arsye, klubi zikaltër dhe ai kuqezi prej vitesh janë duke diskutuar dhe menduar për të ndërtuar një stadium tjetër, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë direkt në arkat e klubit.