Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kanë reaguar lidhur me një vendim të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e një pasurie në një pallat në zonën e Selitës.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesit ligjorë theksojnë se Veliaj dhe Xoxa nuk janë pronarë të pasurisë së sekuestruar, as nuk kanë ndonjë lidhje pasurore apo ligjore me kompaninë “A.K.” shpk, subjekt ndaj të cilit është vendosur masa e sekuestrimit.
Sipas tyre, apartamenti i Ajola Xoxës, ku çifti banon, është krijuar para martesës dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt hetimi apo sekuestroje nga ndonjë autoritet ligjzbatues
“Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit,” thuhet në deklaratë.
Avokatët shtojnë gjithashtu se pasuritë e deklaruara nga Veliaj dhe Xoxa janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, si para ashtu edhe pas martesës, dhe se ata kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet.
Deklarata mbyllet me një kërkesë ndjese ndaj banorëve të tjerë të pallatit, duke theksuar se “i vetmi ‘faj’ i çiftit është se banojnë në të njëjtin pallat” me pasurinë që është vënë në sekuestro.