Nga Eduard Zaloshnja
Me fillimin e mijëvjeçarit të ri, koalicionet e udhëhequra nga PD-ja vetëm një herë e kanë kaluar kuotën 45% – më 2009 – kur Berisha ishte tejet i pushtetshëm dhe e përdori gjithë makinerinë shtetërore për t’i siguruar koalicionit të tij të paktën 71 mandate parlamentare (që s’i mori dot).
Kështu në vitin 2001, koalicioni i udhëhequr nga PD-ja (i quajtur Koalicioni Bashkimi për Fitoren) mori vetëm 36.9% të votës populllore. Zgjedhjet u kontestuan fort nga Berisha, por nuk u anulluan. Sidoqoftë, teksa komuniteti ndërkombëtar e njohu legjitimitetin e fitores socialiste, nuk e pranoi legjitimitetin e 84 mandateve që koalicioni socialist siguroi me marifetin e Dushkut (aq i duheshin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës). Si rezultat, u arrit marrveshja për një presidenti konsensual (Alfred Moisiun).
Në vitin 2005, koalicioni i udhëhequr nga PD-ja (i quajtur Aleanca për Liri, Drejtësi dhe Mirëqenie) mori vetëm 44.1% të votës popullore. Sidoqoftë, arriti të vijë në pushtet vetëm falë përçarjes së kampit të majtë, që garoi me 6 sigla të ndryshme në konkurencë me njëra-tjetrën (PS, LSI, PSD, PAA, AD, dhe PBDNJ).
Në vitin 2009, koalicioni i udhëhequr nga PD-ja (i quajtur Aleanca e Ndryshimit) mori vetëm 46.9% të votës popullore, duke mos i siguraur dot 71 mandatet që i duheshin për të qeverisur. Për pasojë, Berisha u detyrua të bënte një marrveshje qeverisje 4-vjeçare me ish-armikun Meta.
Në vitin 2013, koalicioni i udhëhequr nga PD-ja (i quajtur Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim) mori vetëm 39.5% të votës popullore. Si rezultat, Berisha u largua i përlotur nga Kryeministria pas 1 milionë “shuplakave” që i dha koalicioni i udhëhequr nga PS-ja.
Në vitin 2017, PD-ja garoi pa koalicion dhe regjistroi kuotën më të ulët të historisë së saj elektorale – mori vetëm 28.9% të votës popullore!
Në vitin 2021, koalicioni i udhëhequr nga PD-ja (i quajtur Aleanca për Ndryshim) mori vetëm 39.4% të votës popullore. Duke u kthyer kështu në nivelin që pati më 2013, kur u largua nga pushteti.
Më 11 maj 2025, koalicioni i udhëhequr nga PD-ja (i quajtur Aleanca për Shqipërinë Madhështore) iu rikthye zbritjes elektorale – mori vetëm 32.9% të votës popullore. Berisha po e konteston fort rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Dhe mbetet të shihet nëse komuniteti ndërkombëtar do ta njohë legjitimitetin e votimeve të cilësuara me 84 vota në Kuvend për reformat e lidhura me integrimin europian…