Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka paralajmëruar për nxjerrjen e emrave të ish-zyrtarëve të LSI-së, që sipas tij sot duhet të përgjigjeshin para drejtëisë në vend të Ilir Metës, lidhur me akuzat për lobimin në SHBA.
Cakrani tha se në atë kohë LSI-ja ka pasur strukturën e saj me deputetë e ministra, duke mos qartësuar nëse personat të cilët ai i akuzon kanë bashkëvepruar apo kanë vepruar pas kurrizit të Metës.
“Këtu, persona që duhet të ishin të pandehur, janë dëshmitarë. Shumë persona të tjerë që kanë qenë pjesë e LSI të cilët duhet të ishin zyrtarisht të pandehur, dhe jo zoti Meta, sot janë të lirë dhe ushtrojnë dhe funksione publike. Emrat do të vijë një moment që do t’i bëjmë publik”, deklaroi Cakrani në hyrje të SPAK-ut, përpara një grupi gazetarësh.
Ai tha se procesi ndaj Metës do të jetë “procesi i shekullit”, duke nënkuptuar për nga pesha e madhe e emrave dhe akuzave të personave të përfshirë, përveç klientit të tij, të cilit sot i janë komunikuar zyrtarisht tre akuza, korrupsioni pasiv, pastrim parash dhe fshehja e pasurisë.
“Janë të tjerë persona që mbajnë përgjegjësi dhe për lobimet, dhe kanë firmosur dhe kanë njohje në SHBA. Emrat do dalin, dhe pasi ju të lëxoni dhe dosjet. Kjo çështje do zgjasë, do thirren të gjithë ata persona që kanë firmosur. Ky do jetë procesi i shekullit”, është shprehur avokati i Ilir Metës.