Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka denoncuar sërish zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, që i konsideron si farsë elektorale dhe akuzon qeverinë për lidhje me bandat kriminale.
Në një konferencë shtypi nga selia blu, Berisha publikoi video që sipas tij tregojnë vjedhjen e votave.
“Mercenarë të paguar bëjnë çdo gjë që të justifikojnë dhe t’u servirin shqiptarëve farsën elektorale si proces zgjedhor. Këta, edhe njëherë, në minimum mercenarë, që nxijnë letra, shkrime, artikuj dhe të tjerë, janë mashtrues kongenitalë dhe falsifikatorë të paskrupullt. Ata duan të paraqesin, duan të gjejnë në universin e farsës, ishuj në të cilët pretendojnë se ishte paqja në zgjedhje.
Këtu do paraqes pak qendrat paralele elektorale me qendrat e votimit të PS, ku zyrtarë të niveleve të larta, qëndrojnë të fshehur, klandestinë, për të drejtuar operacionin e trenit bullgar dhe paguar votat që blejnë. Zyra sekrete pa asnjë shenjë elektorale, në të cilën tentojnë të fshihen prapa xhamit. Ikën me çantën me dokumente”.
Sali Berisha tha se Tirana ishte e rrethuar nga bandat kriminale ditën e zgjedhjeve, që sipas tij, kanë shantazhuar qytetarët për votën.
“Por Tirana, për avoketërit e farsës, që përpiqen ta paraqesin si zonë pa krim, u dominua nga banda më të fuqishme. Në Tiranë operative ishin banda e Xhabaftëve, e dokumentuar dhe e paraqitur para jush këtu me të gjithë veprimtarinë terroriste elektorale.
Pra, Tirana ishte e ngërthyer në një darë krimi, në të katër anët e saj, nga seria killerë, trafikantë, organizata. Kjo është e vërteta. Çfarëdo që të bëjë Edi Rama, çfarëdo përpjekje, me asgjë nuk mund të fshehë farsën e shëmtuar elektorale të 11 Majit 2025.
Flluskat dhe qeskat e tymit që shpërndan, një ditë me një pretendim, një ditë me një pretendim tjetër, faktojnë dështimin e tij të plotë në maskimin e farsës elektorale. Ka shpërndarë kërkesa të panumërta që të marrë urime, por urimet nuk po i vijnë. Telefonata të shumta, po statuse nuk postohen.
Urime nuk i vijnë. I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq. PD deklaron se nuk njeh kurrë këtë farsë elektorale”.
Berisha tha më tej se raporti përfundimtar i kësaj force politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, do të jetë e gatshme midis datave 10-15 qershor.
Ky raport, për të cilin deri tani Berisha shprehet se do nxjerrë në pah “farsën elektorale” të zhvilluar nga partia në pushtet, do të drejtohet tek të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-së, BE-së, si dhe Këshillit të Evropës.
Kryedemokrati sqaron me fjalë të tjera se deri më tani, Partia Demokratike është bazuar nga raporti paraprak i zgjedhjeve, lidhur me akuzat që ajo shtron ndaj maxhorancës.
“Raporti përfundimtar do bëjmë çdo gjë që të jetë gati nga data 10 qershor, por ndërkohë, ne si dokumente i nisim që të gjitha në misionin e ODIHR dhe misione të tjera vëzhguese. Ku do shkojë raporti përfundimtar? Raporti përfundimtar do shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Europës. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat e të cilave janë dhunuar në këto zgjedhje. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të OSBE, BE dhe KiE. Pra, këto janë destinacionet e raportit përfundimtar, por për të mbajtur nonstop të informuar, ne kemi operuar me raportin paraprak, tani kemi përgatitur raportin e ndërmjetëm dhe raportin përfundimtar do përpiqemi ta përgatisim midis datës 10 dhe 15 qershor me çdo kusht”, tha Berisha.