KAS: Rinumërohen kutitë e Tiranës, nga Dibra do të hapen vetëm 44, rrëzon kërkesat për 3 qarqe

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka vendosur të hapë kutitë e votimit të qarkut Tiranë për një rinumërim të plotë të votave. Vendimi u mor me kërkesën e dy anëtarëve të KAS-it dhe përfshin të gjitha qendrat e votimit në këtë qark, duke përfshirë edhe ato të votave të ardhura nga diaspora. Për shkak të volumit të madh, mbi 1282 kuti votimi, procesi i rinumërimit do të zhvillohet në një datë ende të pacaktuar, pasi kërkon kohë për organizimin.

“Në lidhje me kërkesën për provë – këqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë, KAS me shumicë votash e rrëzon këtë kërkesë ankimore. Por, me kërkesë të dy anëtarëve të KAS-it, do të bëhet këqyrja e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë. Duke qenë se ky proces merr kohë për organizimin e logjistikës, pasi janë mbi 1200 qendra votimi, etapa për organizimin e këtij procesi do të merret në një moment tjetër. Partitë politike kanë të drejtën për të caktuar vëzhgues, dhe procesi do të këqyret nga ana e administratës së PD-së.”-u shpreh anëtari i KQZ-së, Ledio Braho.

Lajme të tjera |  SPAK sekuestron një vilë në Dhërmi për të cilën dyshon se është në pronësi të Ballukut, shtohen dy akuza të reja

Ndërkohë KAS ka vendosur që të hapen edhe 44 kuti të qarkut të Dibrës, për rinumërimin e votave të PD ASHM për të parë votat preferenciale mes kandidatëve. Vendimi erdhi pas kërkesës të kandidatit demokrat Xhemal Gjunkshi, i cili pretendon se ju vodh mandati. Gjunkshi u mund me 100 vota nga kandidati i PL-së Përparim Spahiu. Por asnjëri nuk e mori dot mandatin.

Komisioni ka rrëzuar kërkesën e opozitës, për qarqet Korçë, Lezhë dhe Gjirokastër. Demokratët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre Marash Logu dhe Franc Nuri, pretenduan parregullsi gjatë fushatës me “asfaltin elektoral”, përdorim të administratës dhe patronazhistëve, mungesën e fletëve të papërdorura në kuri dhe devijim të votës së diasporës. Por të gjitha këto pretendime u rrëzuan për mungesë provash.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us