Qeni i zhurmshëm, që lehte nëpër lagje, duket se ka qenë burimi i konfliktit në fshatin Gosë të Rrogozhinës, që çoi në plagosjen e një çifti, raporton A2 CNN. Shpëtim Osma u arrestua nga policia pasi plagosi me armë zjarri Sami dhe Nadire Dishën këtë të premte.
Sipas grupit hetimor, nga dëshmitë e deritanishme, shkak i konfliktit mes autorit dhe dy të plagosurve është bërë qeni i këtyre të fundit, që për autorin e dyshuar ishte bërë shqetësim me të lehurat dhe zhurmën që krijonte në lagje. Mes autorit të dyshuar dhe familjes Disha përgjatë ditëve të fundit kishte pasur konflikte të vazhdueshme.
Sipas policisë lokale, ngjarja ndodhi rreth orës 10:15. Dy të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pak orë pas ngjarjes, autori u ndalua nga policia.
Për kapjen e tij u përfshinë shërbimet e Policisë lokale dhe forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.