Asani-Ramadani-Bajrami, nga lavdia e Euro 2024 drejt “harresës” kuqezi. Silvinjo i nxjerr jashtë planeve

Ndeshjet e muajit qershor të Kombëtares shqiptare në kualifikueset e Botërorit 2026, kanë nxjerrë në pak një fakt që ka rënë në sy dukshëm në të dy takimet e luajtura. Disa lojtarë të cilët ishin të paprekshëm në edicionin e mëparshëm të kualifikuesve të Europianit dhe Ligës së Kombeve, tashmë janë kthyer në zgjedhje të dyta e pak nga pak po zhduken nga fokusi.

Gjithçka është bërë shumë e dukshme me treshen Jasir Asani-Ylber Ramadani-Nedim Bajrami. Të tre ishin ndër protagonistët kryesorë të kualifikimit të Shqipërisë në Europian, të tre ishin të paprekshëm në preferencat e Silvinjos dhe titullarë të padiskutueshëm në radhët e kuqezinjve në të mirë e në të keq.

Lajme të tjera |  De Biasi “kafshatë” e madhe, Flamurtari rikthen fokusin te ish-trajneri

Por diçka ka ndryshuar që pas ndeshjes së parë të këtyre kualifikuesve, ndaj Anglisë. Të tre ishin titullarë në atë ndeshje shumë zhgënjyese dhe të tre pak ditë më vonë e panë veten në stolin e rezervave përballë Andorrës, duke qenë spektatorë në 90 minuta.

Situata u përsërit tani në qershor ndaj Serbisë, me Bajramin i cili hyri në fushë në minutën e 63-të e Ramadanin vetëm në 6 minutat e fundit. Për Asanin, asnjë minutë.

Shpenzimi i energjive ndaj serbëve nga titullarët nuk bindi Silvinjon që t’u japë hapësirë ndaj Letonisë dhe në ndeshjen e të martës, të tre këta futbollistë ishin përsëri mes atyre në pankinë. Bajrami ishte i vetmi që pa fushën e lojës duke u aktivizuar në minutën e 69-të. Dy të tjerët, mbetën spektatorë.

Lajme të tjera |  Zgjat vetëm 1 vit e gjysmë aventura në Vlorë, Vasil Shkurtaj rikthehet te ish-skuadra

Duket si fundi i një hierarkie të krijuar për disa lojtarë që shiheshin si të paprekshëm në formacionin titullar. Tani pritet shtatori për të kuptuar etapën e radhës të këtij ndryshimi deri diku drastik të Silvinjos, i cili duhet pranuar se ka treguar se nuk e ka të vështirë të harrojë kontributin në të kaluarën të futbollistëve kuqezi. Çikalleshi, Bare e Uzuni mund ta vërtetojnë lehtësisht këtë…

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us